Bilanci i energjisë elektrike në vend – Fotovoltaikët rritën prodhimin, humbjet në rrjet ranë me 1%
INSTAT ka publikuar të dhënat mbi ecurinë e sektorit energjetik në tremujorin e dytë të vitit 2025.
Vlen të thuhet se konsumi i energjisë u rrit me 3,3% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024-ës, kur konsumi familjar pësoi rritje me 10,2%, ndërsa energjia e konsumuar nga konsumatorët jofamiljarë është ulur me 3,0%.
“Thatësira e gjatë ka bërë që të ketë një rënie në të gjitha vendet e Ballkanit dhe në Shqipëri. Nga ana tjetër, rritja e konsumit ka ardhur si rrjedhim i rritjes së konsumit të brendshëm, veçanërisht atij familjar, edhe si shkak i rritjes së numrit të turistëve. Kjo tregon më së miri varësinë e Shqipërisë ndaj burimeve hidroenergjetike”, tha eksperti ligjor për çështjet e energjisë, Lorenc Gordani.
Impiantet alternative si ato fotovoltaike, prodhuan 288 GWh nga 125 GWh që u prodhuan në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rritje të konsiderueshme të prodhimit të energjisë elektrike.
“Vitet e fundit kemi investime të rëndësishme në sektorët fotovoltaikë dhe burimet e tjera, që ka bërë që të kemi 2,5 herë më shumë burim të shtuar nga burimet alternative”, tha Gordani.
Importi i energjisë elektrike gjithashtu pësoi një rritje, duke ekspozuar sektorin ndaj çmimeve të importit.
“Situata e tejzgjatur e thatësirës na ka bërë më të ekspozuar drejt importit, që do të thotë edhe çmime më të kripura. Rajoni në këtë moment po vuan nga i njëjti problem”, u shpreh eksperti.
Një zhvillim pozitiv vjen nga menaxhimi i rrjetit, ku humbjet shënuan një rënie me 1%. Kjo tregon një administrim më efikas të sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




