Artizanati i duarartave lumjane, “Katarsis Artizanat” sjell traditën e kahershme
Janë tingujt burimore e këngë dasme të Lumës e që janë përcjellë brez pas brezi. Ashtu si dikur në dasmat tradicionale u mblodhën edhe sot një grup artizanesh duararta të Lumës duke sjellë këngët tipike lumjane por edhe përvojën e tyre në endjen e sixhadeve, qilimave e punët e dorës. Hate Ora është njëra prej tyre e cika rrëfen jo vetëm përvojën e saj shumë vjeçare si mjeshtre e artizanatit por edhe nxitjen për të përcjellë ndër breza këtë traditë.
“Po shohim një traditë që po gjallërohet çdo ditë dhe më shumë dhe me brezat e rinj”, u shpreh artizania Hate Ora.
Ajo ka nxjerrë ndër vite breza të tërë artizanesh e për këtë ndjehet mjaft mirë.
“Plotë kanë dal prej duarve të mia dhe ja kam dhënë zanatin me shpirt”, tha ajo.
Hersi Matmuja, këngëtare kuksiane e njohur në skenën shqiptare por edhe evropiane është organizatore e këtij aktiviteti, ndaj ndjehet mjaft mirë mes këtyre grave e vajzave që e ruajnë me fanatizëm këtë traditë.
“Ky aktivitet u organizua në kuadër të festivalit “Gjalica International Festival” dhe është një aktivitet që lartëson artizanatin dhe artizanet e Kukësit”, u shpreh këngëtarja.
“Artizanati Katarsis” ishte një ndër aktivitetet e shumta kulturore që po zhvillohen në Kukës në kuadër të “Gjalica International Festival”.
Gazetar: B. Muçmata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




