Dolën në rrugë në mbështetje të “Palestine Action”-Policia britanike arreston 900 persona

Botë | 1 vit më parë

Policia britanike njoftoi të dielën se ka arrestuar gati 900 persona gjatë një demonstrate të mbajtur të shtunën në mbështetje të grupit “Palestine Action”, i cili u shpall i jashtëligjshëm në korrik sipas ligjeve kundër terrorizmit, pas sulmeve të disa anëtarëve të tij në një bazë të Forcave Ajrore Mbretërore ku u dëmtuan avionë ushtarakë.

Qeveria britanike u bëri thirrje qytetarëve të ndalojnë mbështetjen për këtë grup.

Sipas policisë së Londrës, 890 persona u arrestuan pranë parlamentit në qendër të Londrës, shifra më e lartë e arrestimeve nga një protestë e vetme e këtij lloji.

Nga këto, 857 u ndaluan për shfaqjen e mbështetjes për një grup të ndaluar, ndërsa 17 të tjerë për sulme ndaj oficerëve të policisë, pasi protesta u kthye në të dhunshme.

Zëvendës Asistent Komisionerja Claire Smart deklaroi se dhuna gjatë protestës ishte e koordinuar dhe e kryer nga një grup personash të vendosur për të krijuar sa më shumë çrregullim.

Organizatorët e protestës, grupi Defend Our Juries, thanë se mes të arrestuarve ishin priftërinj, veteranë lufte dhe punonjës shëndetësorë, përfshirë të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuara.

Një zëdhënës i grupit u shpreh se “aktet masive të kundërshtimit do të vazhdojnë derisa ndalimi të hiqet”.

Palestine Action u cilësua si grup terrorist, njësoj si al Qaeda dhe Shteti Islamik, duke e bërë mbështetjen ose anëtarësimin në të dënueshëm me deri në 14 vjet burg. Grupet e të drejtave të njeriut e kanë kritikuar ndalimin si të tepruar, duke thënë se kufizon lirinë e shprehjes së protestuesve paqësorë.

Ministri i Mbrojtjes John Healey mbrojti veprimet e ashpra, duke thënë se ato ishin të nevojshme për të kundërshtuar akuzat për një sistem policor dhe drejtësie me dy standarde. “Pothuajse të gjithë ndajnë dhimbjen për imazhet nga Gaza dhe unë i përgëzoj ata që duan të shprehin shqetësimin e tyre përmes protestave,” tha ai për Sky News.

“Por kjo nuk kërkon lidhje me mbështetjen për Palestine Action, një grup të ndaluar.”Shumë nga të arrestuarit kohët e fundit janë lënë të lirë me kusht nga policia, dhe nuk dihet saktësisht sa mbeten ende në paraburgim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme