Konstituimi i Kuvendit të Kosovës, Osmani dorëzon nesër në Kushtetuese pikëpamjet e saj
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të dorëzojë të martën pikëpamjet e saj në lidhje me çështjen e konstituimit të Kuvendit.
Lajmi u konfirmua për Televizionin Shqiptar nga këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina.
“Gjykata Kushtetuese tashmë ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator. Në lidhje me meritat e rastit, Presidentja do t’ia dorëzojë Gjykatës Kushtetuese komentet e saj për çështjen në fjalë brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata, pra nesër më 9 shtator,” tha z. Kupina.
Më tej, këshilltari i Presidentes Osmani theksoi se ajo gjithmonë ka qenë e qëndrimit se askush nuk duhet të ketë të drejtën të bllokojë institucionet e vendit.
“Qëndrimi i Presidentes gjithnjë ka qenë se askush nuk duhet ta ketë të drejtën t’i bllokojë institucionet, e rrjedhimisht shtetin. Ashtu siç parashihet në nenin 57 (4) të Kushtetutës, realizimi i të drejtave të komuniteteve është i pandashëm nga detyrimi për t’i respektuar ligjet e Republikës së Kosovës dhe për të mos i cenuar të drejtat e të tjerëve,” informoi z. Kupina.
Më datën 5 shtator, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi masë të përkohshme, përmes së cilës deri më 30 shtator ndalon çdo veprim të deputetëve të Kuvendit dhe zhvillimin e ndonjë procedure për krijimin e qeverisë së re të vendit.
Këtë masë, Gjykata e vendosi pasi deputetët e partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Listës Serbe dhe deputeti i komunitetit goran, Adem Hoxha, dorëzuan një ankesë në lidhje me votimin e nënkryetarit të Kuvendit, që duhet të jetë nga radhët e komunitetit serb.
Nënkryetari nuk është zgjedhur ende, por kryeparlamentari Dimal Basha mbylli seancën konstitutive të Kuvendit.
Në të kaluarën, dy nënkryetarët e Kuvendit nga pakicat janë zgjedhur në bllok.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




