Vizita e Dumanit në SHBA, SPAK publikon detaje mbi takimet me zyrtarët amerikanë

Aktualitet | 1 vit më parë

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka bërë të ditur detaje mbi vizitën e drejtuesit të saj, z. Altin Dumani, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë vizitës në Uashington me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe FBI-së, Altin Dumani diskutoi për bashkëpunimin e ngushtë të SPAK-ut me agjencitë ligjzbatuese amerikane për të goditur organizatat ndërkombëtare kriminale, në lidhje me trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.

Dumani shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe theksoi rëndësinë e këtij partneriteti strategjik.

Por përpara takimeve në Departamentin e Shtetit më 2 dhe 3 shtator, Dumani ishte në Nashville ku mori pjesë në konferencën e DEA-s në datat 26-28 gusht. Dumani u takua me administratorin e DEA-s, Terrance Cole, ku u vlerësua bashkëpunimi ekzistues në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të narkotikëve dhe rëndësia e vazhdimit dhe zgjerimit të tij në të ardhmen.

“Me ftesë të Agjencisë Amerikane Kundër Narkotikëve (DEA), Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Zbatimin e Ligjit për Narkotikët, e cila u zhvillua në Nashville të Tennessee më 26-28 Gusht.”- bëhet e ditur në njoftimin e SPAK.

Konferenca e titulluar, “Uniteti global për një të ardhme më të sigurt: Forcimi i aleancave kundër krimit transnacional” , u përshëndet nga Prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara, Pamela Bondi.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme pati takime edhe me drejtues të agjencive të rëndësishme të zbatimit të ligjit të vendeve pjesëmarrëse në konference, me të cilët diskutoi mundësinë e krijimit të urave të komunikimit si edhe forcimin e marrëdhënieve ekzistuese, për të luftuar trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme