Reforma Zgjedhore, Celibashi: Duhet të jetë në agjendën prioritare të Kuvendit të ri

Aktualitet | 1 vit më parë

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, ka përsëritur edhe njëherë nevojën për Reformën Zgjedhore dhe që ajo të vendoset në agjendën prioritare të Kuvendit të ri.

Gjatë një komunikimi me gazetarët, Celibashi propozoi 14 aspekte që duhen rishikuar te ligji i vjetër zgjedhor. Të parin si problem, por jo detyrimisht më kryesorin, ai renditi përbërjen partiake të komisioneve të ulëta për administrimin e zgjedhjeve, që i quajti “një dështim”.

“Organizimi i komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta, përbërja vetëm partiake e këtyre komisioneve tashmë qartësisht ka treguar që është një dështim, le ta themi, si për sa i përket administrimit profesional, edhe integritetit të procesit zgjedhor,” deklaroi Celibashi.

Më tej, kryekomisioneri vuri theksin edhe te rishikimi i rregullave për financimin e partive politike dhe subjekteve zgjedhore; përcaktimin e kufirit të qartë mes detyrimit dhe të drejtës së institucioneve publike për zhvillimin e veprimtarive gjatë fushatës elektorale; si dhe votimin elektronik. Në lidhje me këtë të fundit, Celibashi tha se partitë do duhet të vendosin përpara zgjedhjeve të ardhshme mbi zgjerimin apo jo të procesit të votimit elektronik.

Pyetur nga gazetarët për pagesën prej 863 milionë lekësh që KQZ-ja i detyrohet Shoqërisë DHL International (Albania), e cila rrjedh nga kontrata e shërbimit postar për votimin e shqiptarëve të diasporës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Celibashi u shpreh se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka refuzuar a priori shlyerjen e pagesës. Kryekomisioneri theksoi se kontrata me DHL-në ia imponon KQZ-së që të mbajë procesverbal mbi kryerjen e shërbimit.

“Sapo thashë që nuk kemi refuzuar a priori për të bërë pagesën për shërbimin që DHL ka ofruar. Ashtu sikurse parashikon kontrata duhet të mbajmë një procesverbal për përfundimin e kryerjes s shërbimit duke vendosur si u bë shërbimi për sasinë, cilësinë, kohën.

Përtej kësaj, do vendosim për ecurinë e mëtejshme. Ne ju imponojmë atyre rregulla, respektimi i të cilave a priori garantonte integritetin e votës së votuesve nga jashtë, por cedimi në disa raste i këtij portofoli jodomosdoshmërisht e vë në dyshim procesin”, deklaroi Celibashi.

Disa ditë më parë DHL i drejtoi një kërkesë zyrtare KQZ për kryerjen e pagesës së shërbimit prej mbi 863 milionë lekësh, duke theksuar se nëse detyrimi nuk do të shlyhej deri në fund të muajit shtator, do të hynte në fuqi edhe kamatëvonesa prej 26 milionë lekësh.

KQZ iu përgjigj kompanisë një ditë më parë duke deklaruar se shuma do të paguhet vetëm pasi të verifikohet cilësia e shpërndarjes se fletëve të votimit tek qytetarët jashtë vendit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme