Paketa e masave për mbrojtjen e territorit, Rama: Ndërtuesit abuzivë do futen në “listën e zezë”, zjarrvënësit të dënohen si vrasës

Qeveria ka prezantuar sot (9 shtator) paketën e masave ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit, që ishte paralajmëruar javë më parë, kur nisi aksioni për prishjen e ndërtimeve pa leje dhe atyre në shkelje të hapësirave publike.
Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama propozoi masa shtrënguese për ndërtuesit të cilët abuzojnë me projektet e miratuara. Rama tha se do të futen në “listën e zezë” të gjithë ndërtuesit abuzivë dhe po ashtu do t’u ndalohet për të paktën 5 vite vite marrja e lejeve, dhe zhvillimi i aktivitetit ndërtimor.
Kryeministri theksoi se do të ngarkohen me përgjegjësi ligjore edhe arkitektët, supervizorët dhe inspektorët përkatës për të mos lejuar ndryshime të projekteve.
“Ne do bëjmë ndryshimet duke ngarkuar me përgjegjësi njerëzit, hallkat e zinxhirit të ndërtimit, nga arkitekti te supervizori dhe inspektori përkatës. Në një ndërtim ku projekti i miratuar shpërfytyrohet duke u kthyer nga ndërtim me leje në ndërtim abuziv, të gjithë janë pjesë e një zinxhiri fajësie në qendër të të cilit është ndërtuesi. Ndërtuesit që do zihen në këtë faj do hyjnë në listën e zezë dhe s’do marrin dot më leje dhe as të zhvillojnë aktivitet ndërtimor për një numër vitesh më të madh se ai i propozuar nga grupi i punës”, deklaroi Rama.
Më tej, Rama propozoi rishikimin e dënimit të zjarrvënsve, duke kërkuar dënimin e kësaj vepre penale si “vrasje me paramendim”. Kryeministri shtoi se nuk mund të dënohet një zjarrvënës me të njëjtin numër vitesh si ndërtuesit e paligjshëm.
“S’mund të dënohet vendosja e zjarrit si në Gramsh, 3-8 vite dhe një ndërtim pa leje në një zonë të mbrojtur 5-10 vjet. Duhet riparë dhe kam bindjen se zjarrvënësit duhen trajtuar si vrasës dhe ndëshkohet si vrasje. Në kushtet kur trashëgimia e shumë brezave shkrihet brenda 2-3 netësh dhe jetët e njerëzve vihen në rrezik. Kjo është tamam vrasje me paramendim”, tha ai.
Për aksionin e nisur të prishjes së ndërtimeve pa leje, Rama tha se do të zgjasë aq sa të jetë e nevojshme, edhe gjatë gjithë mandatit të ri qeverisës.
“Për këtë paketë të re ligjore është punuar me shumë intensitet nga një grup i gjerë ekspertësh, juristësh dhe me ndihmën ndaj disa deputetëve që kanë pasur një aktivitet të lidhur me komisionin e Ligjeve. Nuk është e përkryer por është një tërësi masash që do të na japin mundësinë të kemi në dorë instrumente të reja për të mbrojtur territorin, duke filluar nga suksesi përfundimtar i një ofensive që do të zgjasë aq sa të jetë e nevojshme, mbase gjatë gjithë mandatit të ri, për ndalimin pa kthim të çdo frymëzimi për të ndërtuar pa leje dhe duke vazhduar deri te mbrojtja e autorësisë së projekteve arkitektonike të cilat janë deformuar dhe ndonjëherë përdhunuar në formën e tyre nga ndërhyrja e ndërtuesve dhe mashtrimi që ju bëhet blerësve duke ju shitur objektin që ka marrë leje me pamjet e lejes së marrë, ndërkohë që në fund fare, ai objekt është si një kushëri shumë i largët i cili sapo ka dalë nga berberi i qethur e i rruar, por me trupin gjithë vraga nga shqelmat dhe grushtet. Kështu janë edhe projektet që deformohen”, tha Rama.
Paketa e masave ligjore, Manja: Nga gjoba deri në 10 vjet burg për shkelësit
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, bëri një prezantim të masave që përfshin paketa ligjore, teksa theksoi se mbrojtja e territorit, pronës dhe mjedisit do të jetë shtylla kryesore e mandatit të katërt të qeverisë socialiste.
“Masat tregojnë vendosmërinë e qeverisë që mbrojtja e territorit, pronës dhe mjedisit, për ne janë çështje kombëtare dhe kjo paketë i trajton si të tilla. Mbrojtja e tyre do të jetë shtylla e mandatit tonë të ri. Prej vitesh, hapësira të konsiderueshëm publike janë zënë në mënyrë të paligjshme ose janë keqpërdorur. Kjo paketë nuk është vetëm një ndërhyrje ligjore, por një hap drejt një modeli të ri zhvillimi që garanton barazi në shfrytëzimin e hapësirës publike, siguri juridike për qytetarët dhe ndërtuesit dhe respekt ndaj trashëgimisë sonë natyrore dhe kulturore. Kjo paketë masash ligjore synon mbrojtjen e tokës, territorit, natyrës dhe mjedisit, nëpërmjet masave me karakter administrativ dhe penal që vijën si një nevojë e ndryshimeve që ne kemi bërë me paketën e masave administrative”, tha Manja.
Sipas ministrit, përmes kësaj pakete synohet që t’i jepet fund ndërtimeve pa leje, të çlirohen dhe rikthehen hapësirat publike, të mbrohen resurset natyrore dhe mjedisi, të forcohet transparenca dhe kontrolli institucional, si dhe të nxitet turizmi dhe ekonomia e gjelbër.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




