Osmani dorëzon në Kushtetuese komentet për konstituimin e Kuvendit: Për një nënkryetar po bllokohet shteti!
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dorëzuar sot (9 shtator) në Gjykatën Kushtetuese komentet për procesin e konstituimit të Kuvendit.
Në një deklaratë për mediet ajo u shpreh se nuk mund të bllokohet Kuvendi për faktin që nuk është zgjedhur një nënkryetar, ndërsa shtoi se një shtet pa institucione është i dështuar.
Duke iu referuar masës së përkohshme të vendosur nga Gjykata Kushtetuese pas ngërçit të krijuar në Kuvend për mosvotimin e nënkryetarit nga pakicat serbe, Osmani theksoi se Republika e Kosovës nuk mund të zhvlerësohet duke i dhënë veton një partie që përfaqëson një komunitet.
“Bllokimi i konstituimit për shkak të moszgjedhjes së një kryetari, do ta cenonte në mënyrë serioze jo vetëm funksionalitetin institucional, por edhe vlerat dhe themelet mbi të cilat është ndërtuar Republika. Për ne ai pozicion e cila i takon komunitetit serb, mbetet për ta dhe askund s’do ta zërë atë vend. Ai vend do të mbetet i zbrazët, thjesht do të plotësohet në një seancë të radhës pa bllokuar procesin e konstituimit. Prandaj në kushtet ku bllokohet konstituimi i Kuvendit për një nënkryetar të vetëm përkundër faktit që Kryesia ka kuorum të mjaftueshëm dhe ka kryetar, dhe kur deputetët kanë kryer betimin, në ato momente pamundësohet përfaqësimi legjitim i qytetarëve në institucionin më të lartë përfaqësues edhe ushtrimi i sovranitetit”, deklaroi Osmani.
Deklaratat e Osmanit vijnë pas masës që Gjykata Kushtetuese e vendit vendosi përkohësisht deri në 30 shtator, duke u ndaluar çdo veprim deputetëve të Kuvendit dhe zhvillimin e ndonjë procedure për krijimin e qeverisë së re. Këtë masë, Gjykata e vendosi pasi deputetët e partisë më të madhe të serbëve të Kosovës Listës Serbe dhe deputeti i komunitetit goran, Adem Hoxha, dorëzuan një ankesë në lidhje me votimin e nënkryetarit të Kuvendit, që duhet të jetë nga radhët e komunitetit serb.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




