Irani nënshkruan marrëveshje të re me mbikëqyrësin bërthamor të OKB-së

Pas një pezullimi disa mujor të marrëdhënieve me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Irani ka nisur zyrtarisht një ‘formë të re’ bashkëpunimi me mbikëqyrësin bërthamor të OKB-së.
Marrëveshja u nënshkrua në Kajro nga Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi dhe Drejtori i Përgjithshëm i IAEA-s, Rafael Grossi, në prani të Ministrit të Jashtëm të Egjiptit, Badr Abdelatty.
Ky ishte takimi i parë i nivelit të lartë mes Iranit dhe IAEA-s që prej ndërprerjes së bashkëpunimit pas luftës 12-ditore me Izraelin në qershor, e cila përfshiu sulme ajrore ndaj objekteve bërthamore iraniane. Teherani kishte akuzuar agjencinë se nuk i dënoi në mënyrë adekuate këto sulme, duke e cilësuar qëndrimin e saj si të njëanshëm.
Ministri Araghchi deklaroi gjatë konferencës së përbashkët për shtyp se️ “Sot, unë dhe drejtori i përgjithshëm i IAEA-s zhvillojmë një raund të fundit negociatash për të finalizuar mirëkuptimin se si të zbatohen angazhimet e Iranit për masat mbrojtëse në dritën e zhvillimeve pas sulmeve të paligjshme ndaj instalimeve bërthamore të Iranit.”
Ai shtoi se korniza e re është “plotësisht në përputhje” me ligjin iranian që kufizon bashkëpunimin me IAEA-n, duke theksuar se️ “Ajo që po bëjmë është mbrojtja e të drejtave tona, ndërkohë që e mbajmë gjallë bashkëpunimin me agjencinë sipas një kuadri të dakordësuar.”
Drejtori i IAEA-s, Rafael Grossi, e cilësoi marrëveshjen si “një hap në drejtimin e duhur” dhe shtoi se️ “Kjo është një derë që po hapim.”
Ministri egjiptian Abdelatty, si pritës i takimit, u shpreh se Egjipti shpreson që kjo marrëveshje të jetë “një pikënisje e vërtetë për një marrëdhënie të re midis dy palëve që karakterizohet nga transparencë më e madhe në trajtimin e çështjeve të sigurisë”.
Gjatë vizitës në Kajro, Araghchi dhe Grossi u takuan edhe me presidentin egjiptian Abdelfattah al-Sisi, i cili e vlerësoi marrëveshjen si “një hap pozitiv drejt çtensionimit” dhe shprehu shpresën për rikthimin në tryezën e negociatave për programin bërthamor iranian.
Javën e kaluar, shefi i sigurisë iranian, Ali Larijani, deklaroi se Irani është i hapur për bisedime me Shtetet e Bashkuara, por përjashtoi çdo kufizim në programin e raketave, duke e bërë të qartë se çdo negociatë e ardhshme do të kërkojë garanci kundër veprimeve ushtarake.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




