Peleshi zgjidhet kryetar i ri i Kuvendit: “Si në ’90-ën, është radha jonë t’i hapim dyert Shqipërisë në familjen europiane”
Niko Peleshi është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Shqipërisë në legjislaturën e 11-të.
Deputeti socialist u zgjodh me 84 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim. Ligjvënësit e shprehën vullnetin e tyre me votim të fshehtë, ndërsa opozita zgjodhi bojkotin duke hedhur brenda kutisë së votimit pankartat denoncuese kundër mazhorancës, që i mbanin me vete. Vetëm deputeti demokrat Tritan Shehu votoi rregullisht me fletëvotim.
Ndërsa anëtarët e komisionit të posaçëm mbikëqyrës të procesit shqiptonin votat pro dhe kundër Peleshit, deputetët e opozitës krijuan zhurmë duke goditur tavolinat e tyre. Propozimi i kryeministrit Edi Rama për të përzgjedhur ish-zëvendësin e tij në krye të Kuvendit të Shqipërisë u shoqërua me debate në Parlament. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e cilësoi kandidaturën e Peleshit dhe procesin e zgjedhjes si tërësisht të papranueshëm.
“Kjo shumicë nuk ka legjitimitet për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Aq më tepër emri i përzgjedhur është sikur të ulësh në karrigen numër dy të shtetit shqiptar, Klodian Zoton. Me këtë propozim që ju po bëni, thjesht po na tregoni që filozofia juaj e vetme e qeverisjes është vjedhje, krim, korrupsion dhe prandaj ne nuk marrim pjesë në këtë proces”, tha Bardhi.

Me t’u zgjedhur si kryeparlamentar, Peleshi mbajti fjalën e rastit dhe bëri thirrje për ndarje nga mendësia konfliktuale që ka shoqëruar politikën vendase këto vite.
“Gjuha e urrejtjes, dhuna verbale dhe ndonjëherë fizike nxisin përçarje dhe urrejtje edhe në shoqëri, pra, bëhen një model i keq dhe pengues për të ndërtuar mendësinë e re europiane. E kundërta, pra konstruktiviteti, opozita e alternativave apo mazhoranca që ndërton konsensus, modelojnë një shoqëri bashkëpunuese, të hapur dhe moderne,” u shpreh Peleshi.
Kryeparlamentari falënderoi paraardhësen e tij, deputeten Elisa Spiropali, e cila së shpejti pritet të marrë në dorë diplomacinë e vendit, duke qenë e propozuara e kryeministrit për dikasterin e Europës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë në kabinetin e ri qeveritar.
“Dëshiroj gjithashtu të falënderoj zonjën Elisa Spiropali për kontributin e vyer, standardin e lartë të punës dhe dedikimin e saj si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë gjatë vitit të fundit të legjislaturës së kaluar. I uroj Elisës suksese në përgjegjësinë e re shtetërore që pritet të marrë,” deklaroi Peleshi.
Lajtmotivi i mandatit të katërt radhazi për qeverinë socialiste mbetet anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian. Peleshi e krahasoi këtë me ambicien e madhe popullore që ekzistonte tri dekada më parë, kur sistemi politik pësoi një tronditje të thellë dhe Europa u pa si e vetmja shpresë.
“Ashtu si parlamenti i parë pluralist në vitet ’90, që hodhi themelet e demokracisë, sot është radha jonë të hapim dyert Shqipërisë në familjen europiane – një vizion që buron nga ideatorët e shqiptarizmës dhe arkitektët e shtëpisë sonë të përbashkët, rilindësit tanë. Strategjia Kombëtare “Shqipëria në Bashkimin Europian 2030”, që synon mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027 dhe anëtarësimin e plotë brenda vitit 2030, do të udhëheqë diplomacinë tonë parlamentare në vitet që vijnë. Horizonti europian që sot është më afër se kurrë në histori duhet të na frymëzojë për të shkuar në rrugë të pashkelura të politikës, në politikën e guximshme të pakteve kombëtare dhe konsensusit,” theksoi Peleshi.
Kryeparlamentari i ri shërbeu si zëvendëskryeministër pas ardhjes së socialistëve në pushtet në vitin 2013. Prej vitit 2017, përveç kreut të grupit parlamentar, 54-vjeçari Peleshi ka mbajtur disa portofola ministrorë, si Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Mbrojtjes deri në vitin 2024.
Fjala e plotë e kryeparlamentarit Niko Peleshi pas zgjedhjes në detyrë
Besimi që më dhatë sot, duke më zgjedhur kryetar të Kuvendit të Shqipërisë, është një nder dhe përgjegjësi e madhe, të cilën e pranoj me përgjegjësi dhe përkushtim. Përvoja ime e punës në Parlament dhe qeveri, dijet dhe energjitë e mia do të vihen të gjitha në shërbim të këtij Kuvendi, në shërbim të Shqipërisë, në shërbim të qytetarëve.
Jam ftuar nga kryeministri Edi Rama dhe mbështetur më pas nga Partia Socialiste e Shqipërisë për të kryer këtë detyrë shtetërore të rëndësishme në një moment historik për Shqipërinë, një moment që do të mbahet mend. Ndaj ndihem dyfish i vlerësuar dhe thellësisht mirënjohës për besimin e dhënë dhe angazhohem për ta kthyer këtë besim në një shtysë për të punuar me përkushtim çdo ditë.
Dëshiroj gjithashtu të falënderoj zonjën Elisa Spiropali për kontributin e vyer, standardin e lartë të punës dhe dedikimin e saj si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë gjatë vitit të fundit të legjislaturës së kaluar. I uroj Elisës suksese në përgjegjësinë e re shtetërore që pritet të marrë.
Falënderoj gjithashtu të gjithë deputetët pavarësisht votës pro apo kundër, apo mospjesëmarrjes në votim, dhe i siguroj se do të bëj gjithçka mundem për të krijuar hapësirën e nevojshme dhe të sanksionuar nga ligji të fjalës në parlament, statusin e ri dinjitoz të deputetit dhe Kuvendit, infrastrukturën e përshtatshme për lehtësimin e punës së deputetit në Kuvend apo në zonën e vet elektorale. Nga ana tjetër do të doja të vendosnim një standard të ri të respektimit të Kushtetutës, të rregullores se Kuvendit dhe Kodit të Etikës, për të cilin nuk mjafton vetëm vullneti im.
Zonja dhe zotërinj, ne deputetët e kësaj legjislature jemi bashkudhëtarë dhe kontribues në segmentin final dhe të shumëpritur të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, duke përmbushur ëndrrën e kahershme të qytetarëve tanë.
Është privilegj i rrallë dhe përgjegjësi e pamat për një Parlament që të ketë në dorë një detyrë kaq përcaktuese për të ardhmen e vendit. Ashtu si parlamenti i parë pluralist në vitet ’90, që hodhi themelet e demokracisë, sot është radha jonë të hapim dyert Shqipërisë në familjen europiane – një vizion që buron nga ideatorët e shqiptarizmës dhe arkitektët e shtëpisë sonë të përbashkët, rilindësit tanë. Në këtë kryeproces të integrimit të Shqipërisë sonë në Bashkimin Europian do të ecim me transparencë, gjithëpërfshirje dhe legjitimitet demokratik në çdo hap.
Shqipëria është ndër popujt më proeuropianë në kontinent dhe ky konsensus i gjerë popullor na frymëzon, por na detyron gjithashtu që mbështetjen e qytetarëve ta kthejmë në konsensus politik brenda kësaj salle. Strategjia Kombëtare “Shqipëria në Bashkimin Europian 2030”, që synon mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027 dhe anëtarësimin e plotë brenda vitit 2030, do të udhëheqë diplomacinë tonë parlamentare në vitet që vijnë. Ky nuk është më thjesht vetëm një vegim, një ide, por është një angazhim që kërkon punë të pandërprerë dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.
Horizonti europian që sot është më afër se kurrë në histori duhet të na frymëzojë për të shkuar në rrugë të pashkelura të politikës, në politikën e guximshme të pakteve kombëtare dhe konsensusit. Në këtë rrugëtim drejt Bashkimit Europian, Kuvendi është një institucion shumë i rëndësishëm, por nuk është i vetmi. Krahas Qeverisë dhe Parlamentit, standardet e reja europiane duhet të rroken nga e gjithë shoqëria, nga të rinjtë, studentët, profesionistët dhe sipërmarrësit.
Duhet ndërtuar një mendësi tërësisht europianiste. Parlamenti është një nga kudhrat ku farkëtohen modele dhe qasje të reja. Gjuha e urrejtjes, dhuna verbale dhe ndonjëherë fizike nxisin përçarje dhe urrejtje edhe në shoqëri, pra, bëhen një model i keq dhe pengues për të ndërtuar mendësinë e re europiane. E kundërta, pra konstruktiviteti, opozita e alternativave apo mazhoranca që ndërton konsensus, modelojnë një shoqëri bashkëpunuese, të hapur dhe moderne.
Marrëdhëniet e shkëlqyera me Parlamentin Europian dhe institucionet e Bashkimit Europian do të thellohen më tej, ndërsa ne do të intensifikojmë komunikimin me parlamentet e 27 vendeve parlamentare, që secili prej tyre te na njohë më mirë, të ketë besim te demokracia shqiptare dhe ta shohë anëtarësimin tonë si një vlerë të shtuar në BE.
Demokracia jonë parlamentare shtrihet edhe përtej Europës. Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet gurthemeli i politikës sonë të jashtme dhe si Kuvend do të thellojmë bashkëpunimin me Kongresin Amerikan dhe parlamentet e vendeve aleate dhe demokratike.
Siguria kombëtare dhe mbrojtja e paqes janë të pandalshme nga rrugëtimi ynë europian. Në një botë gjithnjë e më të trazuar, Shqipëria do të qëndrojë krah për krah me aleatët e saj, duke mbrojtur e promovuar vlerat e demokracisë, lirisë dhe paqes.
Është detyra jonë parësore të mbajmë të gjallë dhe produktiv bashkëpunimin me Kuvendin e Kosovës dhe të forcojmë lidhjet me deputetët shqiptarë, me Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe kudo në rajon. Ne do të punojmë së bashku për të garantuar dhe mbrojtur të drejtat e shqiptarëve kudo që jetojnë në rajon, si dhe për stabilitetin dhe mirëqenien e Ballkanit Perëndimor pa të cilin as integrimi europian nuk do të ishte i plotë.
Gjatë kësaj legjislature, Kuvendi i Shqipërisë do të jetë aleat i palëkundur i forcimit të shtetit ligjor dhe pavarësisë së institucioneve. Mbështetja e plotë do t’u jepet institucioneve të reja të drejtësisë, sepse tani është koha që qytetarët të ndiejnë frytet e reformës, një sistem të pavarur, të paanshëm e transparent, ku ligji sundon mbi të gjithë njësoj.
Kuvendi do të shtyjë përpara reforma transformuese për përmirësimin e jetës së qytetarëve, nga zhvillimi ekonomik dhe mbështetja e sipërmarrjes së ndershme, dhe inovacionit te forcimi i qeverisjes, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Do të jemi të vendosur të mbrojmë interesin publik, të drejtat e qytetarëve dhe vlerat kushtetuese, si nga deformimet e brendshme, ashtu edhe nga ndikimet jomiqësore të jashtme.
Në një kohë sfidash për demokracitë kudo, Shqipëria do të qëndrojë e palëkundur në mbrojtjen e rendit demokratik, sigurisë kombëtare dhe paqes shoqërore. Kontributi ynë në sigurinë kolektive në kuadër të NATO-s dhe partneriteti me Bashkimin Europian do të jetë i qëndrueshëm dhe parimor.
Një tjetër detyrë themelore e këtij Kuvendi do të jetë forcimi i mbikëqyrjes dhe kontrollit ndaj ekzekutivit. Ne do ta ushtrojmë këtë rol me seriozitet dhe përgjegjësi, duke kërkuar llogari në mënyrë konstruktive dhe duke konsoliduar praktikën e kontrollit post-legjislativ, që ligjet të maten jo vetëm me miratimin, por edhe me zbatimin dhe ndikimin e tyre real në jetën e qytetarëve.
Të dashur kolegë, një volum i madh pune, mbase më i madhi në 30 vitet e fundit, për të bërë realitet ambicien e Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030, na pret përpara. Forcën për ta përmbushur me sukses duhet ta gjejmë te transformimi që puna jonë duhet të sjellë në jetën e qytetarëve.
Në fund të kësaj legjislature të Kuvendit të Shqipërisë, duhet të funksionojë në të gjitha standardet e një parlamenti europian. Kjo nënkupton se reformat e brendshme janë po aq të rëndësishme sa edhe reformat kombëtare për integrimin. Deputetët, stafi dhe strukturat parlamentare kanë detyrën ta bëjnë Kuvendin më modern, më efikas dhe më të hapur, duke përfituar padyshim edhe nga mundësitë që ofron teknologjia.
Sot Shqipëria dallohet para shumë vendeve ku e ku më të zhvilluara ekonomikisht për transformimin e shpejtë digjital të shërbimeve publike. Ky transformim duhet të përqafohet me shpejtësi edhe nga Kuvendi i Shqipërisë. Një ligj i ri për organizimin dhe funksionimin e Kuvendit dhe një rregullore e rishikuar me një strukturë të re të komisioneve parlamentare do të çlirojë mundësi të reja për një organizim më të mirë të punës dhe efikasitet e efektivet më të lartë.
Në këtë rrugëtim falënderoj partnerët tanë ndërkombëtarë, që e kanë mbështetur modernizimin institucional, në veçanti Bashkimin Europian, por edhe qeveritë, parlamentet, organizatat partnere nga Austria, Zvicra, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Suedia, Vendet e Ulëta, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, OSBE-ja e shumë të tjerë. Trajnimet, investimet dhe ekspertiza e tyre kanë qenë të çmuara.
Kjo legjislaturë ka një përbërje të re. Mbi gjysma e deputetëve vijnë për herë të parë këtu. Ky është një mesazh i qartë i qytetarëve të cilët presin të shikojnë një kulturë të re parlamentare. Deputetët e rinj kanë barrën dhe privilegjin të sjellin frymën e re të politikës, duke ruajtur integritetin dhe duke kërkuar më të mirën edhe nga kolegët e tyre me më tepër përvojë.
Si kryetar i Kuvendit do të jem përkrah secilit prej jush pavarësisht bindjeve politike. Përpara sfidave të mëdha kombëtare nuk jemi shumicë apo opozitë, jemi bij e bija të së njëjtës Shqipëri, duke lundruar drejt të njëjtit destinacion.
Na priftë e mbara në punët që na presin. Le të fillojmë menjëherë me besim dhe me zemër të hapur për Shqipërinë europiane.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




