IKMT aksion në Parkun e Valbonës, plan për prishjen e 20 objekteve të ndërtuara pa leje

Aktualitet | 1 vit më parë

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), me mbështetjen e Policisë së Shtetit, po vijon aksionin në Parkun Kombëtar të Valbonës për prishjen e ndërtimeve të paligjshme.

Në dy ditët e fundit janë planifikuar të prishen 20 struktura prej betoni të ndërtuara pa leje. Ndryshe nga Thethi, ku pati përplasje mes banorëve dhe forcave të rendit, në Valbonë një pjesë e pronarëve të bujtinave kanë zgjedhur të bashkëpunojnë, duke bërë çmontimin e ndërtimeve.

Por reagimet e banorëve janë të ndara. Një çift thotë se bujtinën prej druri e kanë ndërtuar këtë vit dhe nga ky biznes sigurojnë të ardhurat e vetme.

“Tre fëmijë ushqeheshin aty. Djali, e reja… Për të ngrënë një copë bukë djemtë, për asgjë tjetër. Sivjet e bëmë. Këqyre tash!” tha një zonjë e përlotur.

Puna për prishjen e ndërtimeve pa leje që kanë zënë hapësirat publike po vijon në të gjithë vendin, ndërkohë që paralelisht në portalin hapësiraimepublike, janë rritur denoncimet e qytetarëve.

Janë mbi 10 mijë raste të raportuara, ndërsa prej tyre kanë gjetur zgjidhje mbi 7 mijë raste.

Procesi i lirimit të hapësirave publike nisi në fillim të korrikut, ndërsa kryeministri Edi Rama ka deklaruar se “ofensiva” nuk do të ndalet deri sa fenomeni të zhduket.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme