Përfundon edicioni i 12 i KO:SH Film Festival – 81 filma nga 40 vende, çmime dhe risi për të gjitha moshat

Kulturë | 1 vit më parë

Pas pesë netëve të mbushura me kinematografi nga e gjithë bota, KO:SH Film Festival mbylli edicionin e tij të 12-të në Korçë. Me temën “Zhvendosja”, festivali solli 81 filma nga 40 shtete, duke hapur hapësirë për reflektim mbi një nga fenomenet më të ndjeshme të kohës sonë.

Në ceremoninë përmbyllëse u ndanë çmimet për kategoritë konkurruese, ku Çmimi i Publikut iu dha filmit “The Day She Will Be Born” të regjisorit Emil Spahisky nga Bullgaria dhe Rumania, një vlerësim që dëshmon ndikimin e fortë emocional që ky produksion pati tek shikuesit.

“Jam bërë skenarist dhe producent ekzekutiv i filmit dhe jam vërtet i surprizuar, i lumtur që fituam çmimin e publikut sepse në fund të fundit filmat i bëjmë për audiencën. Filmi trajton një temë të trishtë dhe shumë delikate”, tha bashkëproducenti i filmit, Bogdan Murseanu.

Organizatorët vunë në dukje se risitë e këtij edicioni ishin ndarja e garës studentore nga ajo profesionale, përfshirja e kategorisë së filmit eksperimental, si dhe pasurimi i programit për fëmijë, që solli shfaqje, punëtori dhe masterklasa të dedikuara për brezat e rinj.

“Kemi shumë aktivitete, por nuk kemi më kohë të mjaftueshme këto pesë ditë, kështu që besoj që nga viti i ardhshëm, festivali të zgjerohet edhe gjatë vitit për të bërë atë që ne duam, për të shfaqur më shumë filma dhe për të përfshijë sa më shumë njerëz dhe të shtojmë edhe ditët e zhvillimit në Korçë”, tha Drejtori i festivalit, Glejdis Bica.

Me pjesëmarrje të gjerë ndërkombëtare dhe një kalendar të pasur aktivitetesh kulturore, edicioni i 12-të u vlerësua si një sukses, duke forcuar më tej rolin e festivalit si një nga ngjarjet më të rëndësishme të kinemasë.

Gazetare: E. Fili

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme