Altin Dumanit i përfundon mandati në dhjetor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë hap garën për drejtuesin e ri të SPAK-ut, më 17 shtator

Aktualitet | 1 vit më parë

Më datë 17 shtator, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) do të shpallë zyrtarisht garën për përzgjedhjen e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Mandati trevjeçar i drejtuesit aktual Altin Dumani përfundon më 16 dhjetor 2025.

Vendimi për hapjen e garës u mor në mbledhjen e KLP-së të datës 15 shtator, ku u miratua projektvendimi “Për shpalljen e vendit vakant për Drejtues të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.

Altin Dumani është drejtuesi i dytë i SPAK-ut që nga krijimi i institucionit, pas Arben Krajës. Ai do të vijojë të jetë prokuror pranë kësaj strukture edhe pas përfundimit të mandatit të tij si drejtues. Mandati i prokurorëve të SPAK-ut është 9-vjeçar.

Në mbledhjen e datës 17 shtator, e cila do të zhvillohet në orën 10:00, do të marrin pjesë anëtarët e KLP-së, përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Drejtësisë, si dhe nga projektet EU4Justice dhe Programi OPDAT.

Përveç shpalljes së garës për drejtuesin e SPAK-ut, rendi i ditës përfshin edhe miratimin e procesverbalit të mbledhjes së mëparshme, si dhe diskutimin dhe miratimin e projektraporteve të vlerësimit etik dhe profesional për prokurorët Françesk Ganaj, Ermira Manelli dhe Hysni Mulaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme