PD i drejtohet ambasadave kundër ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit

Politikë | 1 vit më parë

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, përmes një letre drejtuar nëntë ambasadave të akredituara në Tiranë, duke përfshirë atë të Shteteve të Bashkuara dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian, ka ngritur shqetësimin për ndryshimet e propozuara, sipas PD,  nga kryeministri Edi Rama në Rregulloren e Parlamentit. Këto ndryshime, të shpallura gjatë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste më 11 shtator, cilësohen nga PD si dëmtuese për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, thekson në letër se “grupi i punës që ka hartuar këto ndryshime përbëhej ekskluzivisht nga anëtarë të Partisë Socialiste, duke përjashtuar çdo pjesëmarrje nga opozita”.

Sipas tij, ndër propozimet kryesore përmendet rritja e numrit të komisioneve parlamentare nga tetë në njëmbëdhjetë, si dhe shkrirja e komisionit për integrimin evropian me atë për punët e jashtme.

Më shqetësues për PD-në është fakti se komisioni i ri, i cili do të quhet Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme, do të drejtohet nga mazhoranca socialiste.

Bardhi e cilëson këtë si një devijim nga tradita parlamentare dhe praktika demokratike, pasi sipas tij, “heqja e drejtimit të Komisionit për Integrimin Evropian nga përfaqësuesit e opozitës dëmton procesin e integrimit dhe përjashton opozitën nga ky proces kyç.”

PD argumenton se këto propozime jo vetëm që nuk kanë ndjekur procedurën parlamentare të rregullt, por gjithashtu injorojnë modelet e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, ku parlamente të tilla si ato të Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë, kanë komisione të dedikuara për integrimin evropian të udhëhequra nga opozita.

Qëllimi kryesor i këtyre komisioneve, sipas PD-së, është të sigurojnë shqyrtimin e duhur të projektligjeve lidhur me integrimin evropian dhe të garantojnë një rol domethënës të opozitës në këtë proces.

Bardhi thekson se “miratimi i këtyre ndryshimeve në mënyrë të njëanshme dëmton frymën e bashkëjetesës demokratike, konsensusit dhe gjithëpërfshirjes”.

Ai rikujton se Rregullorja e Parlamentit duhet të garantohet përmes dialogut dhe marrëveshjes ndërpartiake, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje kaq të rëndësishme si integrimi evropian, i cili duhet të mbetet një çështje e dakordësisë kombëtare.

Thirrje për ndërhyrjen e ambasadave

Në letër, Grupi Parlamentar i PD-së kërkon ndërhyrjen e ambasadave për të parandaluar miratimin e këtyre ndryshimeve të njëanshme nga mazhoranca socialiste. PD i inkurajon ambasadat, si partnerë dhe miq të Shqipërisë, të nxisin rivendosjen e gjithëpërfshirjes dhe konsensusit në funksionimin e Kuvendit, duke theksuar se “ruajtja e traditave demokratike është një kërkesë e domosdoshme për rrugëtimin e integrimit evropian të vendit”.

Këto qëndrime u bënë të ditura nga Bardhi edhe pas mbledhjes së parë të Konferencës së Kryetarëve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme