Mot ekstrem sjell humbje rekord në BE – Deri në 2029 dëmet mund të arrijnë 126 mld euro
Valët e të nxehtit, thatësirat dhe përmbytjet goditën një të katërtën e rajoneve të Bashkimit Evropian gjatë verës së vitit 2025, sipas një studimi nga Universiteti i Mannheim-it në bashkëpunim me Bankën Qendrore Evropiane.
Studiuesit thonë se këto fenomene ekstreme sollën një kosto të menjëhershme prej 43 miliardë euro për ekonomitë e vendeve të BE-së, ndërsa humbjet totale deri në vitin 2029 pritet të arrijnë në 126 miliardë euro.
Humbjet e këtij viti përfaqësojnë 0.26% të prodhimit të përgjithshëm ekonomik të BE-së.
Ndryshe nga vlerësimet klasike që llogarisin vetëm dëmet në infrastrukturë, ky studim merr parasysh edhe kostot e fshehura, si rënia e të ardhurave nga turizmi, ndërprerjet në furnizim dhe ulja e produktivitetit.
Në total, 96 rajone u prekën nga të nxehtit, 195 nga thatësira dhe 53 nga përmbytjet.
Ekspertët sqarojnë se thatësira dëmton bujqësinë dhe prish zinxhirët e prodhimit, ndërsa temperaturat ekstreme ndikojnë në ndërtim dhe në sektorin e shërbimeve.
Rajonet mesdhetare, si Spanja, Italia, Greqia dhe jugu i Francës, janë më të rrezikuarat nga këto pasoja klimatike. Në këto vende, valët e të nxehtit dhe mungesa e reshjeve po bëhen gjithnjë e më të zakonshme.
Në veri dhe në qendër të Evropës, përmbytjet janë problemi kryesor dhe po rriten si nga frekuenca, ashtu edhe nga kostoja. Dëmet më të mëdha janë shënuar në Gjermani, Suedi dhe Danimarkë.
Studiuesit thonë se në këtë analizë nuk janë përfshirë zjarret, të cilat këtë vit shënuan rekord në të gjithë kontinentin.
Kostoja e tyre do të vlerësohet veçmas në një raport të dyte
Gazetar: A.Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




