Tiranë, Policia Rrugore heq 11 leje drejtimi dhe vendos 3900 gjoba

Në Tiranë, Policia Rrugore duket se nuk ‘lëshon pe’ në luftën kundër aksidenteve dhe përforcimin e sigurisë në qarkullim. Vetëm gjatë 72 orëve të fundit, 11 drejtues mjetesh janë përballur me pasoja ligjore, duke u arrestuar ose proceduar penalisht. Drejtimi i automjetit në gjendje të dehur ose pa lejen e nevojshme për të qenë në timon renditet ndër shkaqet kryesore. Këto shkelje, siç thekson Policia, përbëjnë një rrezik serioz jo vetëm për jetën e vetë drejtuesve, por edhe për qytetarët e tjerë.
Gjatë aksioneve të fundit, janë bllokuar 14 automjete dhe janë tërhequr 11 leje qarkullimi për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Gjithashtu, janë vendosur 3900 masa administrative për parkim të gabuar, një fenomen që shpesh shkakton probleme në lëvizjen e qytetarëve. Policia ka reaguar shpejt edhe ndaj drejtuesve të mjeteve që ecnin me shpejtësisë tej normave, me 54 masa administrative të vendosura ndaj automjeteve të kapura nga makinat inteligjente matëse.
Policia Rrugore nënvizon se personat që kryejnë shkelje të rënda, si drejtimi nën efektin e alkoolit apo pa leje drejtimi, do të ndëshkohen menjëherë dhe në mënyrë të rreptë, në përputhje me ligjin.
Sipas policisë, vazhdimësia e këtyre kontrolleve në të gjithë kryeqytetin është garancia kryesore për ruajtjen e rendit dhe sigurisë rrugore, duke krijuar një ambient më të sigurt për të gjithë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




