Dronët rusë i cenuan hapësirën ajrore, Polonia nis stërvitjen më të madhe ushtarake

Europë | 1 vit më parë

Polonia ka nisur stërvitje të mëdha ushtarake me tanke dhe forca ajrore, të koduara me emrin “Iron Gate”, në poligonin ushtarak Orzysz, rreth 100 kilometra nga Korridori i Suwałkit.

Këto stërvitje vijnë pak ditë pasi dronët rusë cenuan hapësirën ajrore të Polonisë dhe në rajon është vendosur një grup luftarak batalioni i NATO-s, i cili përfshin trupa amerikane, britanike, rumune dhe kroate.

Stërvitjet do të vëzhgohen nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes Władysław Kosiniak-Kamysz, si dhe Gjenerali Wiesław Kukuła, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Polake.

Në poligon do të demonstrohet bashkëpunimi mes degëve të ndryshme të ushtrisë: forcat e blinduara, të mekanizuara, artileria dhe forcat ajrore.

Pajisjet e ekspozuara përfshijnë:

– Tanke Abrams

– Haubica K9

– Lëshues raketash WR-40 Langusta

– Mortaja Rak

– Automjete të blinduara Rosomak me kupolë ZSSW-30

– Sisteme Piorun dhe Spike

Këto stërvitje janë pjesë e manovrave të mëdha ushtarake Żelazny Obrońca (Mbrojtësi i Hekurt), më të mëdhatë e këtij lloji në Poloni për vitin 2025.

Ato përfshijnë operacione tokësore, detare dhe ajrore me forca tokësore, aviacion, marinë, forca speciale dhe trupa të mbrojtjes territoriale.

Në total janë 30 mijë ushtarë dhe 600 njësi pajisjesh nga Polonia dhe vendet e NATO-s marrin pjesë.

Në të njëjtën kohë, ushtarët polakë po marrin pjesë në stërvitje jashtë vendit, në Lituani, Letoni dhe në ishullin Gotland të Suedisë.

Më 28 maj, Rusia dhe Bjellorusia vendosën të zvogëlojnë shkallën e stërvitjeve dhe të zhvillojnë manovrat kryesore më larg kufijve të tyre perëndimorë.

Sipas ISW, kjo mund të jetë një përpjekje për të krijuar përshtypjen e bashkëpunimit aktiv, duke fshehur kufizimet e Rusisë përtej frontit ukrainas.

Në shtator 2021, Rusia dhe Bjellorusia zhvilluan stërvitjet e përbashkëta Zapad-2021, të cilat shërbyen si një demonstrim i gatishmërisë së Moskës për konflikt të armatosur në aksin strategjik perëndimor. Pas stërvitjeve, disa trupa ruse mbetën në Bjellorusi, nga ku pushtuesit hynë në Ukrainë më 24 shkurt 2022.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme