Vera më e nxehtë në historinë e Spanjës – Temperatura rekord dhe zjarre të mëdha nga ndryshimet klimatike
Vera e vitit 2025 është shpallur më e nxehta ndonjëherë në Spanjë, ku sipas shërbimit kombëtar të motit “AEMET”, temperatura mesatare nga qershori deri në fund të gushtit arriti në 24.2 gradë Celsius, niveli më i lartë që prej vitit 1961.
Ky temperaturë kalon edhe rekordin e verës së vitit 2022, kur mesatarja ishte 24.1 gradë. Krahasuar me periudhën 1991–2020, kjo verë rezultoi 2.1 gradë më e nxehtë. Temperatura më ekstreme u shënua më 17 gusht në qytetin Jerez de la Frontera, ku termometri u ngjit në 45.8 gradë Celsius, gjatë një vale të fortë të nxehti.
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se rajoni i Mesdheut po ngrohet 20% më shpejt se pjesa tjetër e globit. Nxehtësia ekstreme ka sjellë pasoja të rënda edhe për natyrën, pasi më shumë se 38 mijë hektarë pyje janë djegur këtë verë nga zjarret, sipas të dhënave të EFFIS. Sipas autoriteteve, rajonet më të prekura kanë qenë ato veriperëndimore, ku mungesa e reshjeve ka përkeqësuar situatën.
Shërbimi i motit ka theksuar se vera ishte jo vetëm e nxehtë, por edhe jashtëzakonisht e thatë. Ndërkohë, të dhënat e “Copernicus” tregojnë se Evropa po ngrohet dyfish më shpejt se mesatarja globale që nga vitet ‘80. Shkencëtarët paralajmërojnë se ky fenomen po rrit rrezikun për shëndetin e njerëzve, sidomos në vendet e Europës Jugore. Sipas tyre, nxehtësia dhe thatësira do të bëhen gjithnjë e më të zakonshme në dekadat e ardhshme. Si shkaktar kryesor i kësaj krize klimaterike, ekspertët rendisin djegien e karburanteve fosile, si nafta, benzina dhe qymyri.
Gazetar: A. Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




