Netët magjike të serenatave, “Korça Serenights” vjen në edicionin e dytë
Më 18, 19 dhe 20 shtator, qyteti i Korçës do bëhet kryeqyteti i serenatave me edicionin e dytë të “Korça Serenights”.
Do të jenë tre netë të mbushura me muzikë, art, traditë dhe emocione, në Pazarin e Vjetër dhe në zona të tjera të Korçës me vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë.
“Festivali i serenatës do të vij me një veçanti ku këtë vit do të shtrihet në 3 netë dhe ne sot do ta fillojmë me një ekspozitë të kitarave të serenatistëve korçar dhe jo vetëm. Në natën e dytë do të vijmë me sheshin e liceut ku do të interpretojnë grupet ku aktualisht këndojnë në Korçë dhe janë një atraksion për turistët dhe vizitorët, dhe do të përfundojmë me një mbrëmje gala në Pazar ku në drejtimin e mjeshtrit Josif Minga dhe nën shoqërimin e Orkestrës së Forcave të Armatosura do të sjellin këngë të vjetra të serenatës korçare”, u shpreh Benila Themeli, Nënkryetare e Bashkisë Korçë.
Në Korçë, serenata nuk është thjesht këngë, por është një pjesë e shpirtit të qytetit. Ajo lindi si një gjuhë e ndjenjave dhe e dashurisë dhe prej brezash vazhdon të ruajë ngrohtësinë e saj, duke bashkuar të rinjtë e mjeshtrit e vjetër në një traditë të gjallë.
Gazetare: Kostanca Koçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




