“Kërkohet një tenor”, Teatri Kombëtar nis sezonin e ri artistik
Teatri Kombëtar ka nisur sezonin e ri me komedinë “Kërkohet një tenor”, nën regjinë e Armand Borës.
Kjo komedi është shkruar nga dramaturgu amerikan Ken Ludwig, autor i dhjetëra veprave.
“Kërkohet një tenor” cilësohet si një nga krijimet më të arrira dhe argëtuese të Ludwig. Ajo u shfaq për herë të parë në Londër në vitin 1986 dhe më pas qëndroi në Broadway për 14 muaj me radhë.
Sezonin e kaluar komedia “Kërkohet një tenor” ka qenë një nga shfaqjet më të suksesshme dhe më të kërkuara nga publiku.
“Kjo shfaqje hap sezonin e ri teatror në ‘Teatrin Kombëtar’ dhe pa dyshim që ka përgjegjësi, por edhe emocion të bukur të hapësh sezonin me shfaqjen tënde. Është një shfaqje e pritur shumë mirë në mbyllje të sezonit të kaluar. Një komedi amerikane për herë të parë vendoset në Shqipëri. Për sa i përket mesazhit, është për një shoqëri të zhvilluar në provincë, që gjithmonë është e kompleksuar nga shoqëritë qendrore, të cilat luajnë atë rolin autoritar. Është një komedi e njerëzve të thjeshtë,” tha regjisori Armand Bora.
“Kjo shfaqje ka pasur sukses shumë të madh sezonin e kaluar. Është e shpejtë. Ka aktivitet. Ka lëvizje. Ka këngë. Ka batuta pa fund. Është shkruar shumë mençur nga Ken Ludwig. Njihet si një nga veprat e përkthyera pa fund në të gjithë botën,” u shpreh aktori Genti Deçka.
Komedia do të jetë në skenën e Teatrit Kombëtar te “ArTurbina” gjatë gjithë fundjavës.
Në rolet e veprës janë aktorë të njohur, si Helidon Fino, Pjerin Vlashi, Genti Deçka, Ilirda Bejleri, Elia Zaharia, Flaura Kureta, Niada Saliasi dhe Fritz Selmani.
“Kërkohet një tenor” është një komedi që nuk duhet humbur këtë sezon artistik në teatër.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




