Rikthehet shfaqja “Zemërimi i shkronjave” – Teatri i Kukullave vë në skenë këtë komedi edukuese, pas 40 viteve

Kulturë | 1 vit më parë

Pas 40 vitesh rikthehet në Teatrin e Kukullave shfaqja  “Zemërimi i shkronjave”. Shfaqja do të vihet në skenë për publikun, këtë fundjavë, 40 vjet pas premierës së saj të parë.

“Zemërimi i shkronjave” është një komedi me fantazi dhe mesazhe edukuese për fëmijët që sapo kanë nisur rrugëtimin e tyre shkollor.

Shfaqja rrëfen mbi “Një luftë gjuhësore”, ku shkronjat e Abetares marrin jetë për t’u treguar fëmijëve sa e rëndësishme është të flasim bukur dhe saktë.

Në qendër të rrëfenjës janë Olsi dhe Ini, dy djem që flasin me shkurtime dhe pa kujdes. Ata krenohen se kanë shpikur një shqipe “moderne”, por kjo i zemëron shkronjat, të cilat vendosin të ikin një e nga një prej fjalorit, gjë që i bën djemtë të hasin vështirësi e më pas të kthehen në rrugë të mbarë.

Nën regjinë e Endri Çelës, interpretojnë aktorët e Teatrit të Kukullave: Florian Kokona, Ilia Kaçi, Esmeralda Kame, Ermonela Alikaj, Erdit Asllanaj, Jorida Meta dhe Madi Selimi.

“Përgjegjësia ka qenë e madhe sepse kemi të bëjmë me një tekst të shkruar nga artistja Minerva Kumi dhe një shfaqje e vendosur nga artistë të mëdhenj që kanë bërë histori në Teatrin e Kukullave dhe tani, pas 40 vitesh, vi unë dhe përpiqem të ruaj historinë. Është një përgjegjësi e madhe”, tha Endri Çela.

“Duke marrë tekstin e vjetër jemi përpjekur ta përshtatim me fëmijët e sotëm. E kemi pasur deri diku edhe të thjeshtë, por edhe të vështirë që të gjejmë atë gjuhën, që të jetë sa më shumë komunikuese tek fëmijët”, tha Ilia Kaçi.

“Përgjegjësi është e madhe, patjetër sepse para 40-vjetësh ka qenë një shfaqje shumë e mirë dhe shumë e bukur dhe pas 40- vjetësh duhet të jetë ndoshta më e bukur seç ka qenë”, tha Florian Kokona.

 “Zemërimi i shkronjave” është bazuar mbi tekstin origjinal të Minerva Kumit dhe është një shfaqje e përshtatshme për fëmijë të moshës mbi 5 vjeç.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme