Korçë – Tri motra të mitura në spital, pas konsumimit të karameleve me lëndë narkotike

Aktualitet | 1 vit më parë

Tre motra të moshave 3, 7 dhe 11 vjeç janë paraqitur, një ditë më parë, në spitalin rajonal të Korçës, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Shefi i shërbimit të pediatrisë, Robert Rado, bëri të ditur se falë ndërhyrjes mjekësore, dy vajzat më të mëdha janë stabilizuar, ndërsa gjendja e 3-vjeçares mbetet kritike dhe për disa orë ka qenë e intubuar.

“Problemi është vajza e moshës së vogël, e cila erdhi në gjendje të rëndë, me simptoma të sistemit nervor, si rezultat i efektit që japin këto substanca mbi sistemin nervor”, tha mjeku pediater.

Sipas mjekut pediatër, vajzat kanë pasur probleme shëndetësore, pas konsumimit të karameleve që përmbanin lëndë narkotike të llojit kanabis, një rast i paprecedentë për moshat kaq të vogla në Korçë.

“Bëhet fjalë për një lloj substance që bën pjesë në substanca e kanabisit, e cila përdoret pa kriter, dhe në mosha pediatrike, ajo sjell pasoja që i pamë dje. Ka qenë rasti i parë i cili ka ardhur në gjendje të rëndë që jemi detyruar deri aty që e kemi intubuar”, tha Rado.

Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të zbuluar se ku i kanë gjetur karamelet, duke kontrolluar edhe kamerat e sigurisë të bizneseve në lagjen nr. 16, për të mësuar nëse ato janë marrë nga kazanët e mbeturinave apo nga ndonjë vend tjetër.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme