“Rusia po teston limitet e NATO-s”, i ngarkuari me punë i Polonisë në Tiranë, intervistë për RTSH

Botë | 1 vit më parë

I ngarkuari me punë i Polonisë në Tiranë, Wojciech Unolt, komentoi për RTSH sulmin e fundit të dronëve rusë mbi territorin polak.

Ai tha se “Rusia po teston kufijtë e NATO-s” dhe se ky nuk ishte një incident i izoluar, por një akt i qëllimshëm agresioni.

“Nuk ka asnjë dyshim se ky ishte një akt i qëllimshëm agresioni kundër Polonisë. Vetë numri i madh i dronëve dhe kohëzgjatja e sulmit tregojnë se nuk mund të ishte një incident. Ishte një përpjekje e qëllimshme për të testuar kapacitetin tonë, gatishmërinë, vendosmërinë dhe aftësitë tona për të reaguar. Gjithashtu, vetë fakti që dronët po vinin nga Bjellorusia tregon se ata nuk ishin dronë të dërguar nga Rusia kundër Ukrainës, por qëllimisht ishin dërguar nga Bjellorusia kundër Polonisë,” u shpreh diplomati polak.

Unolt theksoi se reagimi i NATO-s ishte i menjëhershëm dhe për herë të parë i karakterit ushtarak, duke neutralizuar dronët që paraqisnin kërcënim për qytetarët dhe infrastrukturën kritike.

“Reagimi i NATO-s nuk ishte vetëm politik. Ishte një reagim i vërtetë ushtarak, në fakt i pari i këtij lloji, që çoi në shkatërrimin e dronëve armiqësorë e që kishin depërtuar në hapësirën ajrore polake. Megjithatë veprimet politike janë gjithashtu të nevojshme dhe në këtë kuadër Polonia ka kërkuar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit,” tha z. Unolt.

I ngarkuari me punë i Polonisë përfundoi me mesazhin se prania e trupave amerikane në Poloni është një faktor i fuqishëm frenues dhe se solidariteti i NATO-s dhe BE-së mbetet thelbësor për sigurinë rajonale dhe mbështetjen e Ukrainës.

Ai bëri të qartë se Polonia do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën, duke ofruar ndihmë ushtarake, financiare dhe humanitare, si dhe duke zbatuar sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.

Gazetare: Rugova Dunisha

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme