“Tema e Ditës” në RTSH – Gazetari Arion Sulo komenton zhvillimet politike, situatën në kampin opozitar, shkarkimin e Veliajt dhe zgjedhjet në Tiranë
Gazetari Arion Sulo, në një intervistë për “Tema e Ditës” me Arbër Hitaj në RTSH, ka ngritur shqetësime për mënyrën se si nisi sesioni i ri parlamentar, duke e cilësuar mungesën e paraqitjes së programit të qeverisë “Rama 4” si një ngjarje të paprecedentë.
Sipas tij, kjo është paradhoma e një Parlamenti të deformuar, ku do të ketë vetëm votime dhe jo seanca plenare.
Në analizën e tij, Sulo ndalet edhe te gjendja e opozitës, duke e cilësuar të pareformuar dhe të dobësuar, por thekson se problemi më i madh qëndron te mpirja e shoqërisë shqiptare.
Ai komenton edhe zgjedhjet e pjesshme lokale dhe situatën në Bashkinë e Tiranës, ku parashikon pezullim të procesit zgjedhor nëse çështja e shkarkimit të kryebashkiakut Veliaj shkon në Gjykatën Kushtetuese.
Nisja e sesionit të ri parlamentar
Sipas Sulës, ky është një sinjal i qartë se Shqipëria po shkon drejt një “Parlamenti të deformuar,” ku seancat plenare do të zëvendësohen nga “seanca votimi,” pa diskutim, llogaridhënie apo kërkesa.
Ai parashikoi një sesion të vështirë dhe të dëmshëm për demokracinë, ku mazhoranca do ta shndërrojë Kuvendin në një “noter të vendimeve, projektligjeve, koncesioneve dhe lejeve të qeverisë.”
“Ajo që më bëri përshtypje ka të bëjë me mungesën e paraqitjes së programit të qeverisë “Rama 4” në Parlament, gjë që ndodh për herë të parë në 35 vite pluralizëm. Mendoj se kjo është një ngjarje shumë e rëndë dhe është paradhoma e Parlamentit të deformuar, ku do kemi seanca votimi dhe jo seanca plenare sikurse jemi mësuar.Seanca e djeshme ishte e para në llojin e vet, por do të pasohet nga gjithë sesioni parlamentar deri në një ngjarje tjetër.”
Në këtë kontekst, Sulo shtoi se: “Do ketë vetëm votime dhe asnjë përgjegjësi, asnjë llogaridhënie, asnjë alternativë nga opozita, asnjë kërkesë llogarie nuk do të jepet. Nuk do ketë asgjë, interpelancë, asnjë diskutim, por do të dëgjojmë vetëm 82, 83, 86 apo më shumë vota. Mazhoranca dhe qeveria do e bëjnë Parlamentin vetëm noterin e vendimeve, projektligjeve, koncesioneve, lejeve të qeverisë.”
Për mua – vijon Sulo – “parashikoj një sesion parlamentar shumë të keq, shumë të vështirë dhe shumë të dëmshëm për demokracinë në vend.”
Situata brenda kampit opozitar
Në analizën e tij, Sulo u ndal edhe te situata e opozitës. Ai pranoi se ajo është e pa-reformuar dhe me emra të vjetër, por theksoi se problemi nuk qëndron vetëm aty.
Sipas tij, opozita do të ishte në vështirësi edhe sikur të ishte më e fortë, për shkak se Parlamenti ka humbur funksionin e tij si një vend debati.
“Duke pranuar që kjo është një opozitë e pareformuar, me emra të vjetër, një opozitë që ka për lidership emra që kanë humbur në zgjedhje thellë, por edhe sikur të ishte një opozitë e reformuar, sërish situata nuk do të ndryshonte, sepse në momentin që nuk ke parlament, opozita do ketë gjithmonë të vështirë.”
Duke vazhduar argumentin e tij, Sulo tha se nuk duhet pritur vetëm nga opozita.
“Unë nuk e shikoj problemin më të madh se është një opozitë pa ide, por e shikoj problemin tek mpirja e shoqërisë shqiptare. Jemi shoqëri e frikësuar, një shoqëri që po ikën.”
Problemi më i madh, sipas Sulës, është “mpirja e shoqërisë shqiptare,” një shoqëri e frikësuar dhe e zbrazur nga emigracioni. Ai theksoi se edhe opozita është pjesë e këtij realiteti të trembur dhe të paaftë për të reaguar.
Patjetër opozita është në vështirësi shumë të madhe – u shpreh Sulo – dhe ajo duhet të zgjidhë se si duhet të dalë nga kjo situatë, por edhe opozita është pjesë e këtij realiteti të mpirë, të intimiduar, të trembur, të paaftë për të reaguar për këtë realitet.
Zgjedhjet e pjesshme lokale
Sulo komentoi edhe zgjedhjet e pjesshme lokale, duke shprehur mendimin se ato nuk janë në kushte të barabarta, duke dëmtuar mundësitë e opozitës për fitore.
“Opozita ka avantazhin që ta shohë kandidaturën që ka përballë nga Partia Socialiste dhe të thotë që do vendos këtë kandidat më të mirë.”
Ky është njëra anë, por ka dhe një variant tjetër, sipas Sulos, që: “Opozita e sapo dalë nga zgjedhjet e 11 majit dhe në Tiranë ka një distancë të madhe të rezultateve ndërmjet PS dhe PD-së, dhe kush do mendonte që të rrezikonte. Për mua ata kanë të drejtë, sepse zgjedhjet nuk janë të barabarta. Nga këto vijnë të gjitha, plus dhe gjendjen e opozitës që është e rrudhur dhe e copëtuar, duke i shkuar votat tek partitë e reja. Zgjedhjet nuk janë në kushtet të barabarta dhe çfarëdo lloj figure të vendoset nga opozita, kemi faktor jo elektoral, përtej elektoral, përtej zgjedhor, përtej ekonomik, përtej ligjor që ndikojnë këtë rezultat.”
Shkarkimi i kryebashkiakut Erion Veliaj
Lidhur me situatën në Bashkinë e Tiranës dhe shkarkimin e mundshëm të kryebashkiakut Veliaj, Sulo parashikon një skenar ku, nëse çështja shkon në Gjykatën Kushtetuese, procesi i zgjedhjeve pezullohet dhe Tirana nuk do të shkojë në zgjedhje.
“ Për mua z. Veliaj shkarkohet nga Këshilli Bashkiak, por ai do e çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe atëherë procesi pezullohet dhe nuk zhvillohen zgjedhjet në kryeqytet.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




