12.7 milionë lekë, KQZ shpërndan fondet paszgjedhore për partitë e reja
Katër parti të reja që garuan në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 kanë përfituar kompensim financiar paszgjedhor. Vendimi është marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe përfshin një total prej 12,7 milionë lekësh.
Në listë janë: Lëvizja Bashkë, e cila do të marrë 2,3 milionë lekë, Lëvizja Shqipëria Bëhet 3,8 milionë lekë, Partia Mundësia 4,6 milionë lekë dhe Koalicioni Euroatlantik 1,9 milionë lekë.
Kushti kryesor për të përfituar kompensimin ishte që partitë të kishin marrë jo më pak se 1% të votave të vlefshme në shkallë vendi, me vlerën e një vote të vlefshme të llogaritur në 94 lekë. Në rastin e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, kompensimi jepet vetëm partisë Lëvizja Shqipëria Bëhet, pasi partia tjetër e koalicionit kishte përfituar fonde paradhënie.
Ndërkohë, pjesa më e madhe e fondeve publike paradhënie për zgjedhjet e 11 majit shkoi te partitë kryesore: Partia Socialiste e Shqipërisë mori 65 milionë lekë, ndërsa Partia Demokratike 44 milionë lekë, duke siguruar shumicën e mbështetjes financiare të buxhetit të shtetit për fushatë.
Kompensimi paszgjedhor synon të mbështesë partitë që nuk kishin përfituar fonde paradhënie, por që arritën të kapin pragun minimal të votave, duke garantuar kështu pjesëmarrje më të drejtë në financimin politik pas zgjedhjeve.
Kompensimet e KQZ-së për partitë e vogla:
• Lëvizja Bashkë – 2.3 mln lekë
• Lëvizja Shqipëria Bëhet – 3.8 mln lekë
• Partia Mundësia – 4.6 mln lekë
• Koalicioni Euroatlantik – 1.9 mln lekë
Buxheti i shtetit për partitë kryesore:
• Partia Socialiste e Shqipërisë – 65.291.390 lekë
• Partia Demokratike – 44.818.545 lekë
• Partia e Lirisë – 9.140.730 lekë
• Partia Republikane – 2.689.112 lekë
• Partia Socialdemokrate – 3.015.375 lekë
• Partia “Drejtësi, Integrim dhe Unitet” – 1.792.735 lekë
• Partia “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar” – 896.370 lekë
• Partia “Bashkimi për të Drejtat e Njeriut” – 896.370 lekë
• Partia “Agrare Ambjentaliste e Shqipërisë” – 896.370 lekë
• Partia “Lëvizja e Legalitetit” – 896.370 lekë
• Partia “Nisma Thurje” – 868.445 lekë
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




