Izraeli shpalos “Rrezen e Hekurt”, sistemin e ri mbrojtës me lazer

Izraeli ka njoftuar një zhvillim të rëndësishëm në aftësitë e tij mbrojtëse, duke përfunduar me sukses ndërtimin dhe testimin e një sistemi të ri mbrojtës me rreze lazer, i quajtur “Rreza e Hekurt”. Ky sistem është projektuar për të neutralizuar një gamë të gjerë kërcënimesh ajrore me një kosto operative jashtëzakonisht të ulët.
Sipas Ministrisë izraelite të Mbrojtjes, provat e kryera gjatë disa javëve kanë dëshmuar se sistemi mund të kapë dhe shkatërrojë me saktësi raketa, predha mortajash, avionë dhe dronë, duke dëshmuar efikasitetin e tij në skenarë të ndryshëm operacionalë.
Moment historik për mbrojtjen izraelite
Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, e ka cilësuar këtë arritje si një “moment historik” për Izraelin. Ai theksoi se “Rreza e Hekurt” është një sistem mbrojtës ajror me rreze lazer, i komanduar nga toka, i cili falë precizitetit dhe efikasitetit të lartë, mund të neutralizojë kërcënime me një kosto minimale.
Sipas të dhënave të SHBA-së, kostoja për të neutralizuar një dron me këtë sistem është rreth katër dollarë për operacion. Ky shpenzim i ulët e bën sistemin një alternativë shumë ekonomike dhe efikase kundër sulmeve me kosto të lartë.
Sistemet e para të mbrojtjes me rreze lazer pritet të integrohen në sistemin ekzistues të mbrojtjes ajrore të Izraelit deri në fund të vitit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



