Nata e dytë e Korça SereNights – “Me këngë e kitarë, dashuri kërkonim”

Kulturë | 1 vit më parë

Nata e dytë e Korça Serenights, e titulluar “Me këngë e kitarë, dashuri kërkonim”, është zhvilluar në një prej lagjeve historike të qytetit, pranë Liceut. Publiku ka pasur mundësi të shijojë performancat e mrekullueshme të Mimoza Paravelit, Ëndërr Serenatë Band dhe Vaske Niço, Jorgjeta Lalazit dhe bandit “Hani i Pazarit”, si dhe tingujt e Cofiel Band.

Këngëtarja korçare Mimoza Paraveli tha se është gjithmonë kënaqësi të rikthehet në Korçë e madje të këndojë këngët e preferuara, siç janë serenatat.

“Jemi rritur me këto këngë dhe më pas i kënduam vetë. Mendoj që brezi ynë është me fat që u rrit në atë kohë kur serenatistët ishin mes nesh. Ne i morëm të pastra serenatat, të pa deformuara, qoftë në vijë melodike, qoftë në tekste që ishin aq të bukura. Më vjen keq kur i dëgjoj, qoftë dhe një ndryshim i vogël të tekstit, por po i mbijetojnë kohës.” – u shpreh këngëtarja Mimoza Paraveli.

Ky festival vjen si një vlerë e shtuar e qytetit të Korçës, pasi synon të ruajë dhe të përcjellë ndër breza këngët e bukura të serenatës.

Instrumentisti Kostika Zdruli u shpreh se, “Është një kënaqësi për ne Cofiel Band që ruajmë traditën. Ky festival është një vlerë e shtuar e qytetit dhe në këtë edicion të dytë nxjerr në pah repertorin e pafund të serenatës.”

Nata e dytë e Korça Serenights ishte si një rrëfim dashurie me zëra që prekën zemrat e publikut. Tingujt e serenatave u shtrinë mbi qytet si një kujtim i gjallë, duke u kthyer në poezi dhe nostalgji nën dritat e mbrëmjes.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme