Kriza politike në Kosovë, PDK: E pashmangshme mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme
Të pashmangshme, e cilësoi Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Në një intervistë për Kosovapress, Çitaku fajësoi kryeministrin në detyrë dhe kreun e LVV Albin Kurti për situatën ku ndodhet vendi, ku tetë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme ende nuk janë krijuar institucionet e reja,
“Në momentin në të cilin jemi, konsideroj që zgjedhjet e reja parlamentare janë bërë të pashmangshme. Është humbur shumë kohë. Zoti Kurti i ka humbur Kosovës jo vetëm këto muaj prej kur jemi pa institucione, por i ka humbur vite të tëra. Në vazhdimësi ka vendosur populizmin në vend të qeverisjes së përgjegjshme dhe në vend të koordinimit me aleatët, gjithmonë ka zgjedhur konfrontimin. Siç e lexoj situatën deri më tani, me zgjedhje të reja parlamentare. Në bazë të afateve kalendarike mund të ndodhin nga fundi i vitit”, thotë ajo.
Kryeministrin në detyrë, Çitaku e akuzoi edhe për rrezikimin e të ardhmes euroatlantike të vendit.
“Sot qytetari i Kosovës duhet t’ia bëjë vetes vetëm një pyetje: A duam të jemi në NATO dhe në Bashkimin Evropian? Nëse përgjigjja është po, ashtu siç po shihet në çdo matje të opinionit në Republikë, atëherë kësaj qasje destruktive, të rrezikshme, të cilës po i prin z. Albin Kurti, duhet t’i japim fund”, deklaron ajo.
Në datën 5 shtator, Gjykata Kushtetuese vendosi një masë të përkohshme që deri në datën 30 shtator, i ndalon deputetëve të Kuvendit të ndërmarrin veprime ose të procedojnë për krijimin e qeverisë së re, pas ankesës së Listës Serbe, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës.
Vendimi e Kushtetueses u kritikua nga Kurti, që anëtarët e gjykatës, i cilësoi hije politike të opozitës. Pas kësaj, Shtetet e Bashkuara pezulluan pa afat dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, një proces që Departamenti i Shteti zhvillon me vende të ndryshme me qëllim avancimin e marrëdhënieve dy-palëshe.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




