Anëtarësimi në BE dhe sfida e Kuvendit, politologu Kalemaj: Në Bruksel flitet me një zë, jo të përçarë

Studiuesi i politikës, Ilir Kalemaj, u shpreh se parlamenti i ri shqiptar është përballë një sfide historike, procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ai theksoi se ky është një parlament “sfidues”, i cili duhet të tregojë seriozitet dhe konsensus për të çuar vendin drejt integrimit.
Në një intervistë për “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH, Kalemaj kritikoi mungesën e unitetit politik, duke kujtuar se ndryshe nga vendet e tjera që flasin me një zë në Bruksel, në Shqipëri palët shfaqen të përçara.
“Edhe vendet që janë para nesh në rrugëtimin në BE pavarësish të gjithë tensionit politik që kanë brenda vendit, kur shkojnë në Bruksel flasin me të njëjtin zë. Krejt e kundërta ndodh në Shqipëri. Në Bruksel duhet të shkohet me një konsensus bipartizan dhe ky duhet të jetë mesazhi për socialistët dhe demokratët”, tha Kalemaj.
Teksa sesioni i ri parlamentar në vend nisi me ndryshimet e rregullores së Kuvendit lidhur me Komisionet e Përhershme, po artikulohen edhe ndryshimet e mundshme kushtetuese. Kalemaj u shpreh se më shumë priten ndryshime në Kodin Zgjedhor sesa reforma të thella kushtetuese.
Megjithatë, shtoi ai, ndryshimet e shpeshta kushtetuese nuk janë lajm i mirë për vendin, pasi cenojnë konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe sigurinë juridike.
“Ndryshimet kushtetuese në vende me demokraci të konsoliduar thuajse nuk ndodhin kurrë pasi procesi i ndryshimeve të tyre është shumë i vështirë. Ndryshimet e shpeshta të Kushtetutës nuk lejojnë konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe sigurinë juridike që duhet të kenë shtetasit, investitorët etj. Nuk është lajm i mirë ndryshimet e shpeshta të kushtetutës, përkundrazi. E dyta është se si do të bëhen ndryshimet kushtetuese, do bëhen në mënyrë të njëanshme apo në mënyrë bipartizane, do bëhen me procese ratifikuese që përfshihen referendumet, ku në Shqipëri e kemi si ujët e pakët. Referendumi shpreh vullnetin e sovranit, jo një vullnet të deleguar. E treta çfarë ndryshimesh kushtetuese do bëjmë? Do shkojmë drejt një republike presidenciale me president të votuar nga populli apo do kemi ndryshime kushtetuese kozmetike që do akomodojnë ndryshimet në kodin zgjedhor. Më tepër mendoj se do kemi ndryshime të kodit zgjedhor se ndryshime kushtuese”, tha Kalemaj.
Kalemaj foli edhe për rolin e opozitës, ku sipas tij ajo është në situatë të vështirë pasi nëse qëndron në parlament rrezikon të shihet si “noter” i qeverisë, ndërsa bojkotimi e bën të perceptohet si destruktive.
“Nëse opozita do qëndrojë në parlament dhe do veprojë normalisht do duket si noterizuese e veprimeve të qeverisë, nëse opozita bojkoton e del nga parlamenti do duket si destruktive”, tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




