Ibrahimaj: Shqipëria në SEPA, hap historik për integrimin në tregun financiar evropian

Shqipëria, duke nisur nga data 7 tetor, zyrtarisht i bashkohet Zonës së Pagesave Evropiane (SEPA), një hap i rëndësishëm që e vendos vendin në të njëjtin nivel me 40 shtete të tjera për sa i përket standardeve të pagesave në euro.
Të gjitha transaksionet në euro që kryhen nga Shqipëria drejt vendeve pjesëmarrëse në SEPA do të realizohen me të njëjtin standard si në Bashkimin Evropian, duke garantuar pagesa më të shpejta, më të lira dhe më të sigurta.
Kjo do t’u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve shqiptare një qasje më të lehtë dhe më efikase në tregun financiar evropian.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cilësoi përfshirjen e Shqipërisë në SEPA si një hap historik drejt integrimit në tregun e përbashkët evropian.
Në një postim në rrjetet sociale, ajo theksoi se ky zhvillim është thelbësor për të garantuar një ekonomi më konkurruese dhe më të afërt me Bashkimin Evropian.
“Për herë të parë, transaksionet në euro do të kryhen brenda zonës SEPA me të njëjtin standard si në vendet e BE-së, duke i dhënë shqiptarëve dhe sipërmarrjes sonë akses të drejtpërdrejtë në tregun financiar evropian,” shkroi ministrja.
Më herët, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka sqaruar se kalimi drejt pagesave digjitale pritet të sjellë përfitime të shumta, përfshirë uljen e përdorimit të parasë fizike (cash), rritjen e formalizimit të ekonomisë, uljen e evazionit fiskal, përmirësimin e sigurisë së pagesave dhe nxitjen e përfshirjes financiare.
Zona SEPA përfshin 27 shtete anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe vende të tjera pjesëmarrëse.
Përfshirja e Shqipërisë në këtë sistem e pozicionon vendin në të njëjtin nivel me shtetet e BE-së për sa i përket standardeve të pagesave në euro, duke krijuar një klimë më të favorshme për biznesin dhe investimet.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




