Një jetë mes kukullave dhe fëmijëve-Florinda Mazreku, 70-vjeçare, feston me artin e saj të paharruar
Jo vetëm fëmijët, por edhe breza të tërë prindërish e njohin dhe e kujtojnë aktoren që i dha jetë skenës së teatrit të kukullave. Prej 41 vitesh, Florinda Mazreku ia ka kushtuar jetën artit të kukullave, duke lënë kujtime të pashlyeshme te publiku i vogël dhe jo vetëm. Këtë shtator ajo festoi 70-vjetorin e lindjes, një përvjetor që nuk mund ta ndante pa personazhet e saj të dashur, me të cilët është e lidhur ngushtë.
“Vërtet e festova ditëlindjen me familjen time por nuk më zinte vendi që unë të vija këtu në teatër dhe ti ftoja të gjithë personazhet e mia”, u shpreh Mazreku.
Zëri dhe ëmbëlsia e saj bënë për vete me qindra fëmijë, ndërsa mes personazheve të shumtë veçohet “Borëbardha”, që mbeti simbol i karrierës së saj.
“Borëbardha ka qenë shumë interesante sepse ishte ajo borëbardhë që fëmijët e shihnin nëpër emisionet e fëmijëve. Kur flas për teatrin më lëvizin të gjithë gjymtyrët e mia”, thotë ajo.
Edhe pse prej dhjetë vitesh në pension, kukullat nuk i ka lënë kurrë pas dore çdo mbrëmje ajo u lexon nipërve dhe mbesave përralla, duke e mbajtur gjallë botën magjike të fëmijërisë.
Florinda Mazreku është një copëz e çmuar historie e teatrit të kukullave, ku me përkushtim e dashuri dhuroi art dhe emocion.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




