Forumi i Biznesit në Vjenë, Kokona: Po krijojmë një horizont të ri pa burokraci dhe transparent për investitorët e huaj

Ekonomi | 1 vit më parë

Nga Vjena, ku u zhvillua konferenca “Shqipëria, Horizonti i Ri”, Drejtoresha Ekzekutive e Korporatës Shqiptare të Investimeve, Elira Kokona, foli për rëndësinë e kësaj ngjarjeje dhe rolin e Korporatës në nxitjen e investimeve të huaja në Shqipëri.

Në një intervistë për RTSH me gazetaren Denda Shkodrani, Elira Kokona, theksoi rëndësinë e këtij eventi për krijimin e urave të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe sipërmarrjeve serioze ndërkombëtare. Ajo shtoi se bashkëpunimi me qeverinë shqiptare është thelbësor për të ofruar një klimë biznesi pa burokraci, me procedura të thjeshtuara, transparente dhe konkurruese.

“Korporata jo vetëm që bëhet partner me investitorët e huaj dhe ata shqiptarë për të shfrytëzuar mundësitë e biznesit në Shqipëri, por është edhe një fasilitator i mirë i mënyrës se si ata mund të bëjnë biznes, dhe gjithashtu mbështet bizneset për të realizuar mundësi të tilla. E rëndësishme është besimi që investitorët kanë në atë që ne po bëjmë, dhe ku ka më mirë që ky besim të krijohet në kuadër të një takimi ndërkombëtar, ku investitorët e huaj në zemër të Vjenës, që përfaqësojnë rreth 155 persona dhe më shumë se 70 kompani nga më të rëndësishmet dhe me xhiro vjetore të larta në Evropë dhe më gjerë, mund të shohin progresin e Shqipërisë që jo vetëm e themi ne, por e thonë edhe partnerët ndërkombëtarë.

Korporata, në bashkëpunim me qeverinë, do të bëjë të pamundur që investitorët të mund të shohin mundësitë e realizimit të tyre në një Shqipëri pa burokraci, ku çdo mundësi biznesi është e thjeshtë, transparente dhe ku mund të garojnë për të realizuar jo vetëm biznesin e tyre, por edhe për të parë se Shqipëria e një horizonti të ri që do të krijojë mundësi të reja”, u shpreh Kokona.

Duke u ndalur tek sektorët më të kërkuar nga investitorët, Kokona tha se interesi më i lartë është për sektorin e energjisë, turizmit dhe real estate, infrastrukturës dhe ndërtimit.

“Sektori kryesor ku investitorët shfaqin më shumë interes mbetet energjia, ku një numër i madh kompanish kanë shprehur interesin e tyre. Një sektor tjetër i rëndësishëm është turizmi dhe real estate, që janë shumë të kërkuara nga kompanitë që kanë marrë pjesë, dhe sektori tjetër është infrastruktura dhe ndërtimi, i cili tregon edhe standardin që kemi realizuar me një format të ri të zhvillimit të territorit dhe monitorimit të këtij zhvillimi”, u shpreh ajo.

Korporata Shqiptare e Investimeve tha se ky aktivitet është vetëm hapi i parë i një serie eventesh ndërkombëtare dhe panaire, ku do të prezantohen projekte konkrete me interes për investitorët e huaj.

“Ky format do të vijojë me një event të dytë, ku do t’u jepen mundësi investitorëve që të shohin mundësi konkrete për realizimin e bizneseve të tyre. Jemi duke organizuar një seri eventesh të tjera në nivele ndërkombëtare dhe panaire që mundësojnë që të jemi aty me projekte konkrete. Kjo është pjesë e funksionit të korporatës ”, përfundoi Kokona.

Ky aktivitet ekonomik që solli së bashku mbi 70 kompani nga më të njohurat në Evropë, me një pjesëmarrje prej rreth 155 përfaqësuesish të lartë të biznesit, për të eksploruar mundësitë e investimeve strategjike në Shqipëri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme