PD dërgon “Diellën” dhe Rregulloren e Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese

Politikë | 1 vit më parë

Partia Demokratike ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese dy kërkesa, ku kërkohet shfuqizimi i ndryshimeve të Rregullores së Kuvendit, si dhe dekreti i Presidentit Bajram Begaj për të ngarkuar kryeministrin Edi Rama “për ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale, ‘Diella'”.

Kërkesat janë artikuluar edhe më herët nga grupi parlamentar demokrat, ndërsa këtë të martë (23 shtator) ato u dorëzuan zyrtarisht para Kushtetueses.

Lidhur me ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, PD-ja pretendon se ato u bënë në mënyrë të njëanshme dhe u cenua parimi i ndarjes së pushteteve, dhe liria e shprehjes së deputetëve.

“Cenon parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, pasi reflekton një ndërhyrje flagrante të pushtetit ekzekutiv (kryeministrit) në kompetencën kushtetuese të pushtetit legjislativ (Parlamentit) për vetërregullimin е mënyrës së organizimit dhe funksionimit të tij. Ka cenuar parimin e demokracisë përfaqësuese, në drejtim të lirisë së shprehjes, pasi deputetëve, iu mohua e drejta e fjalës”, thuhet në kërkesën e demokratëve.

Partia Demokratike kërkon gjithashtu edhe shfuqizimin e dekretit të Presidentit Begaj lidhur me ministren “Diella”, me argumentin e shkeljes dhe papajtueshmërisë me Kushtetutën e vendit.

“Cenojnë parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, pasi Presidenti krijon një strukturë të re ministrore (ministrin virtual të inteligjencës artificiale), dhe i cakton Kryeministrit përgjegjësi të reja (për ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual). Cenojnë organin kushtetues të ministrit, pasi Presidenti krijon një “ministër virtual”, i cili nuk përmbush cilësitë kushtetuese të emërimit si ministër, procedurat e emërimit dhe betimit të tij, si dhe ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive, Shkelin në mënyrë flagrante nenet 7, 45, 92, 93, 95, 96, 98, 99, 102 dhe 103 të Kushtetutës së Shqipërisë, që lidhen me kompetencat e Presidentit të Republikës, kompetencat e Kryeministrit/Këshillit të Ministrave, cilësitë e ministrit, procedurën e emërimit dhe betimit të tij, ushtrimin e kompetencave ministrore”, thuhet në kërkesën e PD.

Ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit u bënë që në seancën e parë të legjislaturës së re, duke u miratuar vetëm me votat e mazhorancës dhe me procedurë të përshpejtuar. Në rregulloren e re u vendos që Kuvendi të ketë 11 komisione të përhershme parlamentare, nga të cilat 7 i drejton shumica dhe 4 opozita.

Gjithashtu, më 12 shtator, Presidenti Bajram Begaj dekretoi Edi Ramën si kryeministër, duke e mandatuar për formimin e qeverisë së re dhe për ngritjen e Ministrit të parë Virtual të krijuar nga Inteligjenca Artificiale (AI).

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme