Kosova përgatitet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, gazetarja Podvorica: Kriza politike vazhdon të pengojë
Kosova është duke u përgatitur për të shkuar në zgjedhjet lokale të thirrura nga presidentja e vendit, megjithatë, kriza politike e thellë që ka lindur pas zgjedhjeve të 9 shkurtit ka shtuar vështirësitë.
Gazetarja Edona Podvorica në një lidhje live në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” deklaroi se në një situatë të tillë të pasigurisë politike dhe organizative, Kosova ka shumë sfida për të përballuar deri në ditën e zgjedhjeve.
Sipas saj, mbetet për t’u parë nëse kriza e thellë politike do të ndikojë në procesin e zgjedhjeve lokale dhe si do të përballohen sfidat e organizimit të një procesi të tillë në kushte të pasigurisë.
Ajo shtoi se në zgjedhjet lokale, një rëndësi të veçantë për të përcaktuar fitoren do të ketë dhe vota e diasporës, të drejtën e së cilës do e ushtrojnë rreth 44 mijë votues.
“KQZ ka organizuar gjithmonë zgjedhje jo vetëm lokale por edhe ato nacionale. sepse ka një dallim se sa të rëndësishme i shohim këto zgjedhje. Një proces i mirëorganizuar me shumë pak të meta, p[përjashtuar këtë situatë janë zgjedhjet e 9 shkurtit, kur pati bllokim të serverit që inkorporonte të dhënat nga terreni.
Megjithatë përgjatë kësaj kohe KQZ ka bërë punë të ,madhe në përgatitjen në zgjedhjet lokale, duke regjistruar votuesit nga jashtë që për të gjitha partitë politike janë aset shumë i rëndësishëm sidomos për LVV që vazhdimisht ka qasje më proaktive në raport me diasporën. Vota e diasporës është në frymë për të shkuar te LVV dhe KQZ ka bërë publikimin e listave, mbi 2 milionë votues do kenë të drejtë vote në zgjedhjet lokale, përfshi 50 mijë votues nga jashtë Kosove. Janë përfshirë dhe komunat në veri të vendit, pas disa proceseve për certifikimin apo moscertifikimin e Listës Serbe”, deklaroi gazetarja.
Pas disa muajsh ngërçi politik, Kosova arriti të konstituonte vetëm kryesinë e Kuvendit, një situatë e paqartë dhe e komplikuar për një periudhë të tillë të gjatë.
“Ka qenë një sagë ajo që ka ndodhur që prej prillit, kur kemi hyrë në fazën e formimit të Kuvendit të Kosovës, legjislaturës së 9-të. Kjo është diçka që nuk ka ndodhur asnjëherë në jetën parlamentare të Kosovës,” shprehet Podvorica, duke theksuar se kjo situatë është e paparashikuar dhe e paqartë për Kushtetutën e vendit.
Kosova po përgatitet për zgjedhjet vendore të 12 tetorit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë përsipër që për herë të parë rreth 44 mijë votuesve të regjistruar nga jashtë vendit t’ua dërgojë përmes postës pakot me fletëvotime përmes të cilave mund të ushtrojnë të drejtën e votës. Procesi nisi më 17 shtator dhe zgjat deri më 11 tetor.
Shërbimi i votimit me postë pritet të realizohet për 43 mijë e 933 shtetasit e Kosovë, të cilët aplikuan dhe u regjistruan për të votuar në Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi një ditë më parë se deri tani janë proceduar rreth 34% e fletëvotimeve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




