Dy vite nga sulmi në Banjskë, Kosova kërkon presion mbi Serbinë për Radoiçiqin dhe drejtësi për Bunjakun

Kosovë | 1 vit më parë

Teksa u mbushën dy vite nga sulmi serb dhe vrasja e oficerit Afrim Bunjaku, udhëheqësit e Kosovës i bënë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë presion mbi Serbinë për dorëzimin e Millan Radoiçiqit dhe të tjerëve të përfshirë në këtë sulm.

Më 24 shtator 2023, në fshatin Banjskë të Zveçanit, Bunjaku u vra gjatë një sulmi të organizuar nga një grup serbësh të armatosur. Me gjithë përgjegjësinë e marrë nga Radoiçiq për këtë sulm, ai vazhdon të jetojë i lirë në Beograd, pa u ndëshkuar nga autoritetet serbe.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, theksoi gjatë homazhit tek varri i Bunjakut se Serbia nuk mund të konsiderohet një shtet normal pa dorëzuar kriminelët e përfshirë në këtë akt terrorist. 

Kosova ka ngritur aktakuza ndaj 45 personave për sulmin në Banjskë, por vetëm tre prej tyre janë duke u gjykuar, ndërsa të tjerët mbeten të paarritshëm për autoritetet kosovare.

Kurti kërkon që të gjithë të akuzuarit të dorëzohen menjëherë, duke theksuar se rënia e Bunjakut ishte një sakrificë që forcoi sovranitetin dhe reputacionin e Kosovës. Serbia vazhdon të refuzojë ekstradimin, duke thënë se të akuzuarit do të gjykohen në vendin e tyre.

Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë e cilëson të papranueshme që pas dy vitesh, autori kryesor i sulmit të jetojë i lirë dhe kërkon drejtësi të shpejtë dhe pa vonesa. Edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar veprime konkrete nga Serbia. 

Gazetar: Artur Mata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme