Goditet grupi kriminal i trafikut të drogës në Itali, Zvicër e Shqipëri. 10 të arrestuar, 2 në kërkim

Aktualitet | 1 vit më parë

Goditet grupi kriminal për trafikun e lëndëve narkotike në Itali, Zvicër e Shqipëri gjatë viteve 2020-2021.

12 urdhërarreste janë lëshuar nga Gjykata e Firenzes, 10 prej të cilave janë ekzekutuar, 9 në Itali dhe 1 në Shqipëri, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Operacioni ndërkombëtar disamujor i koduar “Fingerprint”, u finalizua në Shqipëri në bashkëpunim mes Policisë së Shtetit me Drejtorinë e Qarkut Antimafia Compagnia Carabinieri në Borgo San Lorenzo, Firenze dhe Zyrën e Sigurisë në Ambasadën e Italisë në Shqipëri.

Në Fier, forcat e policisë lokalizuan dhe arrestuan 41-vjeçarin E.H., i cili dyshohet se ka koordinuar veprimtarinë kriminale të grupit. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata e Firences, e cila kishte lëshuar për të masën “Arrest në burg” për trafikim droge, me dënim maksimal deri në 24 vjet.

Interpol Tirana dhe Interpol Roma po punojnë ngushtë për të finalizuar procedurën e ekstradimit të 41-vjeçarit drejt Italisë, ku pritet të përballet me drejtësinë për veprimtarinë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike kokainë dhe cannabis sativa.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme