Abuzimi online me fëmijët – në nëntë muaj mbi 500 raportime, kërkohet ashpërsim i Kodit Penal

Aktualitet | 1 vit më parë

Veprimet që cenojnë të miturit në hapësirën digjitale janë shtuar kohëve të fundit, ku persona të ndryshëm përdorin apo qarkullojnë materiale të ndaluara.

“Nëse vitin e kaluar, brenda 2024-ës, kemi pasur mbi 400 raste, deri më tani, që jemi afër fundshtatorit, kemi afro 500 raste. Numri i shtuar tregon që së pari ka një ndërgjegjësim, dhe së dyti, ka më tepër raportime, të cilat lidhen drejtpërdrejt me incidentet që ndodhin në mjedisin online. Ne kemi bërë të mundur mbylljen e një grupi me 32 mijë anëtarë midis Shqipërisë dhe Kosovës, të cilët ndanin materiale me përmbajtje të papërshtatshme dhe me përmbajtje pornografike,” thotë Borjana Dine, eksperte e CRCA Albania.

Rasti më i fundit u shënua në Lushnjë, ku në pranga ra një 24-vjeçar. Ekspertët thonë se TikTok mbetet ende platforma më e përdorur prej tyre, ndërsa ashpërsimin e Kodit Penal e konsiderojnë domosdoshmëri.

“Mendoj që duhet të ketë një bashkëpunim edhe më të gjerë, edhe më dinamik, sepse të gjithë ne duhet të punojmë krah njëri-tjetrit me një qëllim të përbashkët, interesin më të lartë ndaj fëmijëve. Ashpërsimi i masave në Kodi Penal unë mendoj që do të ketë një tkurrje të gjithë incidenteve që ndodhin online për një arsye të vetme, se ashpërsimi i masave lidhet drejtpërdrejt me individin dhe jo vetëm frika, por edhe dënimet e caktuara, meritokracia që duhet të marrë një individ i cili kryen një dëm online, duhet të jetë e barabartë me çdo individ që e kryen këtë dëm fizikisht,” thekson znj. Dine.

Policia e Shtetit ka një apel për të gjithë të miturit që ndihen të shantazhuar, kërcënuar apo abuzuar në internet: Mos heshtni! Flisni! Drejtohuni menjëherë pranë strukturave të Policisë së Shtetit.

Gazetar: Flutura Tota

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme