Presidenti Begaj në Nju Jork: Multilateralizmi, themeli i sigurisë dhe zëri i vendeve të vogla

Politikë | 1 vit më parë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në takimin e Nivelit të Lartë të Qendrës Ndërkombëtare “Nizami Ganjavi”, që u zhvillua në Harvard Club në Nju Jork. Në një forum që mblodhi kryetarë shtetesh, personalitete botërore dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, Presidenti Begaj foli mbi temën “Multilateralizmi në Udhëkryq: Sfidat dhe Rrugët drejt Paqes.”

Gjatë fjalës së tij, Presidenti Begaj u shpreh se sot, veç multilateralizmit, edhe vetë njerëzimi ndodhet në udhëkryq. Sipas tij, zgjedhja e vetme është bashkëpunimi për të ndërtuar një rend më të drejtë dhe paqësor, në mënyrë që të parandalohet rrëshqitja e botës drejt përçarjeve dhe konflikteve më të thella.

Presidenti theksoi rolin e veçantë të multilateralizmit për vendet e vogla si Shqipëria. “Për vendet e vogla si Shqipëria, multilateralizmi është themeli i sigurisë sonë dhe garancia e zërit tonë në çështjet botërore,” deklaroi Begaj.

Ai shtoi se institucionet e forta dhe gjithëpërfshirëse janë jetike, pasi në të kundërt, kombet e vogla rrezikojnë të mbyten nga “logjika e forcës mbi të drejtën”.

Duke iu referuar Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera shumëpalëshe, Presidenti nënvizoi se ato i mundësojnë Shqipërisë të kontribuojë në vendime, të mbrojë sovranitetin e saj dhe të avokojë për paqen.

Kostoja e dobësimit të sistemit ndërkombëtar

Duke analizuar situatat aktuale, si lufta në Ukrainë, konflikti në Lindjen e Mesme dhe tensione të tjera ndërkombëtare, Presidenti Begaj vlerësoi se këto janë dëshmi e kostos që paguhet kur multilateralizmi dobësohet. Për të kapërcyer mangësitë e sistemit aktual, ai sheh si zgjidhje reformimin dhe ripërtëritjen e institucioneve ndërkombëtare.

Në fund të fjalës së tij, Presidenti Begaj rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë për zgjidhjen e konflikteve përmes dialogut dhe diplomacisë, duke theksuar nevojën për më shumë solidaritet.

“Pa multilateralizëm, bota jonë do të ishte më e përçarë, më e paqëndrueshme dhe më pak e drejtë,” përfundoi ai, duke shprehur vizionin e tij për institucione më gjithëpërfshirëse dhe të afta për t’iu përgjigjur shpejt krizave.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme