Arrestohet në Angli një person për sulmin kibernetik që paralizoi aeroportet evropiane

Një burrë në të dyzetat është arrestuar në West Sussex, Angli, nën dyshimin se është i përfshirë në sulmin kibernetik që shkaktoi probleme të mëdha në sistemet e regjistrimit të disa prej aeroporteve më të rëndësishme të Evropës javën e kaluar. Këtë e bëri të ditur Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) e Mbretërisë së Bashkuar.
Sulmi kibernetik, i cili shënjestroi kompaninë e aviacionit Collins Aerospace, solli ndërprerje të mëdha në aeroportet e Londrës (Heathrow), Brukselit, Berlinit dhe Dublinit. Pasagjerët u përballën me radhë të gjata dhe detyroheshin të bënin regjistrimin manualisht. Në aeroportin e Brukselit, punonjësit përdorën iPad-ë dhe laptopë, ndërsa në Berlin pasagjerëve u dhanë karta imbarkimi të shkruara me dorë.
Paul Foster, kreu i Njësisë Kombëtare të Krimit Kibernetik në NCA, deklaroi se arrestimi është një hap pozitiv, por theksoi se hetimi është në fazat e tij të hershme. “Krimi kibernetik është një kërcënim i vazhdueshëm global,” tha ai, duke theksuar përkushtimin e NCA-së për të zvogëluar këtë rrezik dhe për të mbrojtur publikun.
Ndërsa burri i dyshuar është liruar me kusht, efektet e sulmit vazhdojnë të ndihen. Aeroporti i Berlinit njoftoi se ende po has vështirësi dhe se “vonesat dhe anulimet nga linjat ajrore mund të vazhdojnë edhe sot”. Në anën tjetër, Aeroporti Heathrow i Londrës dhe ai i Brukselit njoftuan se shumica e fluturimeve po operojnë normalisht, megjithëse me ndërprerje të kufizuara.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




