Zaçaj: S’ka drejtësi pa garanci procedurale. Ajo nuk matet me numrin e arrestimeve, por me respektimin e të drejtave

Aktualitet | 1 vit më parë

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, gjatë fjalës përshëndetëse në aktivitetin e mbështetur nga Këshilli i Evropës theksoi rëndësinë e balancës mes sigurisë dhe lirisë personale, duke e cilësuar atë themel të shtetit demokratik.

Duke diskutuar mbi aktivitetin me temë “Rritja e kapaciteteve të gjyqësorit për zbatimin më të mirë të standardeve të së drejtës për liri dhe siguri në Shqipëri”, Zaçaj u shpreh se drejtësia nuk mund të ndëshkojë autorët e shkeljeve duke cenuar garancitë procedurale dhe të drejtat themelore të individit.

“Fuqia e drejtësisë nuk qëndron te dënimi, por te legjitimiteti, dhe legjitimiteti lind nga respektimi i të drejtave edhe kur kjo është e vështirë, sidomos kur është e vështirë”, nënvizoi ajo, duke shtuar se shoqëria nuk ka nevojë për “drejtësi të shpejtë në dëm të drejtësisë së drejtë”.

Kryetarja e Kushtetueses ngriti gjithashtu shqetësimin për mbipopullimin në paraburgime, duke theksuar se respektimi i të drejtave të të ndaluarve nuk është çështje buxhetore, por detyrim kushtetues dhe ligjor. Sipas saj, çdo kufizim i lirisë duhet të jetë i ligjshëm, proporcional dhe i mbështetur në garanci procedurale, sipas Kushtetutës dhe standardeve evropiane për të drejtat e njeriut.

“Ne nuk mund dhe nuk duhet të matim suksesin e sistemit të drejtësisë me numrin e arrestimeve, nëse këto masa nuk respektojnë Kushtetutën apo standardet evropiane”, u shpreh Zaçaj.

Në fund, ajo përgëzoi Këshillin e Evropës për nismën dhe siguroi mbështetjen e Gjykatës Kushtetuese për forcimin e rolit të gjyqësorit si garant i lirive themelore të qytetarëve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme