Mocion me debat në Kuvend, PD kërkon të njihet me programin e Qeverisë “Rama 4”: Të diskutojmë prioritetet
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka depozituar një kërkesë në Kuvend për zhvillimin e një mocioni me debat mbi prioritetet e shpallura të Qeverisë në programin e saj politik.
Në letrën, Bardhi thekson se Shqipëria ndodhet në një fazë të rëndësishme të rrugëtimit evropian, çka e bën të domosdoshme rritjen e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së qeverisjes.
Gjithashtu, në kërkesën e PD thuhet se Kuvendi duhet të diskutojë bilancin e realizimit të programit të kaluar të Qeverisë dhe prioritetet për periudhën në vijim.
“Shqipëria ka hyrë në një fazë të rëndësishme të rrugëtimit të saj evropian dhe ku përgjegjshmëria dhe llogaridhënia e qeverisjes janë themele të rëndësishme në një vend që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Në vlerësimin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Kuvendi i Shqipërisë është e domosdoshme që të zhvillojë një debat, për një çështje të veçantë, siç është bilanci i Qeverisë aktuale në realizimin e programit politik të kaluar dhe programi politik qeverisës në periudhën në vijim.
Anëtarësimi në Bashkimin Europian, që përfshinë detyrimisht rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, janë çështje që duhet të shqetësojnë çdo deputet të Kuvendit të Shqipërisë dhe ky i fundit duhet të ketë rol të qenësishëm në çuarjen përpara të kësaj axhende”, thuhet në kërkesë.
Një tjetër pikë e mocionit me debat të kërkuar nga PD është edhe integriteti i ministrave dhe figurave politike.
“Gjithashtu, efikasiteti i qeverisjes është i lidhur drejtpërdrejtë me integritetin e ministrave të emëruar, sepse dyshimet për kriminalizim të jetës politike dëmtojnë rëndë besimin e qytetarëve tek institucionet publike dhe përbën një regres të theksuar në marrëdhëniet e shtetit shqiptar me partnerët e saj ndërkombëtarë. Qytetarët shqiptarë duan dhe meritojnë politikanë me integritet të lartë, pa rekorde kriminale në të kaluarën e tyre dhe pa kontakte me elementë të krimit të organizuar.
Prandaj, duke pasur parasysh sa më lart, në cilësinë e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, në mbështetje të nenit 98, pika 1, të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, kërkoj zhvillimin e një mocioni me debat mbi prioritet e shpallura të Qeverisë në programin politik të saj, si dhe ndërhyrjen e krimit të organizuar në jetën publike të vendit”, përfundon kërkesa e PD.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




