Netanjahu kritika të ashpra ndaj liderëve botërorë që njohin Palestinën

Amerikë | 1 vit më parë

Në fjalimin e tij në OKB, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka ashpërsuar tonet kundër liderëve botërorë që njohin Palestinën, duke i akuzuar se “po shpërblejnë fanatikët intolerantë që kryen dhe mbështetën masakrën e 7 tetorit.” Dhjetëra delegatë u larguan pak para se Netanyahu të fillonte të fliste, ndërsa disa të tjerë e pritën fjalimi e tij me duartrokitje.

“Njohja e një shteti palestinez një milje larg Jerusalemit pas 7 tetorit, është si t’i japësh Al Kaedës një shtet një mijë kilometra larg Nju Jorkut pas 11 shtatorit. Kjo është çmenduri. Është çmenduri dhe ne nuk do ta lejojmë. Dua t’u jap një mesazh liderëve perëndimorë. Izraeli nuk do të lejojë që ju të na impononi një shtet terrorist. Ne nuk do të kryejmë vetëvrasje kombëtare vetëm sepse ju nuk keni guximin të përballeni me median armiqësore dhe turmat antisemite që kërkojnë gjakun e Izraelit”, u shpreh Netanjahu.

Ai shtoi se ky nuk është vetëm qëndrimi i tij dhe i koalicionit të tij, por përfaqëson vullnetin e popullit izraelit.

“Vitin e kaluar, në Knesset, parlamentin tonë, u mbajt një votim nëse do të kundërshtohej imponimi i një shteti palestinez. Dini çfarë ndodhi? Nga 120 anëtarë të parlamentit, 99 votuan kundër dhe vetëm nëntë pro. Kjo është mbi 90%. Nuk është një pakicë. Nuk është kryeministri që është ekstrem, apo që mbahet peng nga partitë ekstreme në të djathtë. Është mbi 90% e izraelitëve. Kundërshtimi im ndaj një shteti palestinez nuk është thjesht politika ime apo e qeverisë sime. Është politika e shtetit dhe popullit të Izraelit. Liderët perëndimorë mund të jenë dorëzuar ndaj presionit, por unë ju garantoj një gjë: Izraeli nuk do ta bëjë”, theksoi më tej Netanjahu.

Netanyahu pritet të takohet të hënën (29 shtator)n me presidentin amerikan Donald Trump, i cili tha sot se negociatorët janë “shumë afër” për të arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Gaza.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme