Rubio apel Kremlinit për zgjidhjen e luftës Rusi-Ukrainë, Estonia paralajmëron për agresionin rus

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, gjatë takimit të fundit me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov, i bëri thirrje Kremlinit të “ndërmarrë hapa domethënës drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme të luftës Rusi-Ukrainë.”
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, duke folur në Institutin Harriman të Universitetit Columbia, tha se askush nuk duhet të presë që Rusia të ndërmarrë veprime të sinqerta për të ndalur gjakderdhjen në Ukrainë. Sipas tij, lufta shërben si për të mbajtur regjimin e Vladimir Putinit në pushtet dhe të bashkuar.
“Putini po lufton për jetën e tij, për sistemin e tij. Paqja e tij është më shumë luftë”, tha Tsahkna,
Mënyra më e qartë për ta detyruar Putinin të ndalojë, sipas tij, është që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të ndërmarrin veprime të mirëkoordinuara dhe të vendosura për ta vendosur me shpatulla pas muri, Vladimir Putinin.
Mesazhi i Estonisë për agresionin e pamëshirshëm të Rusisë ka qenë i qëndrueshëm për dekada, por vetëm kohët e fundit ka filluar të gjejë mbështetje në të gjitha anët e BE-së. Tsahkna u shpreh i kënaqur që në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së po rritet ndërgjegjësimi për kërcënimin global të sigurisë nga agresioni rus, jo vetëm mes shteteve evropiane, por edhe në kontinente të tjera.
Taktikat konfrontuese të Kremlinit, të evidentuara nga ndërhyrjet e fundit të dronëve dhe avionëve ushtarakë në hapësirën ajrore të shteteve anëtare të NATO-s, përfshirë Poloninë dhe Estoninë, synojnë të krijojnë frikë dhe përçarje, tha Tsahkna.
“Qëllimi i këtyre [incidenteve] është të krijojë frikë, përçarje dhe të na bëjë të ndihemi të frikësuar,” tha ministri danez i Drejtësisë, Peter Hummelgaard, për gazetarët.
Tsahkna konfirmoi se frika nga agresioni rus është reale dhe po përhapet. Por ai theksoi se kjo po ka efektin e kundërt me atë që synon Kremlini.
“Herën tjetër, do t’i rrëzojmë,” tha ai, duke iu referuar një shkeljeje të mundshme të hapësirës ajrore të NATO-s.
Ministri i Jashtëm estonez e përshkroi liderin hungarez Viktor Orban si një pengesë për ofrimin e mbështetjes më të fuqishme evropiane për Ukrainën dhe përpjekjet për të përballuar agresionin rus.
“Ne po gjejmë gjithnjë e më shumë mënyra për të vepruar,” tha Tsahkna.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




