Fronëzohet Hirësi Anastasi, ceremonia në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Korçë

Aktualitet | 1 vit më parë

Është mbajtur në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Korçë, ceremonia e Fronëzimit të Mitropolitit të Korçës, Hirësi Anastasit.

Kjo ngjarje e rëndësishme është udhëhequr nga Kryepeshkopi i Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Joani, ndërsa është transmetuar edhe në ekranin e RTSH Korça.

Kryepeshkopi Joan theksoi se fronëzimi i Hirësi Anastasit vjen në një moment të rëndësishëm, kur themelet e kishës janë hedhur, kisha është ringritur dhe puna për forcimin e saj duhet të vazhdojë.

“Me gëzim të madh, por edhe me emocion të thellë, unë po të dorëzoj ty këtë thesar të çmuar. Po ta dorëzoj jo si diçka që më përket mua, por si një amanet të shenjtë që Kryepeshkopi Anastas ma besoi dikur mua e tani kalon tek ti, për ta ruajtur, kultivuar e zhvilluar më tej. E di që po e lë në duar të sigurta e të afta. Përvoja jote, formimi yt dhe mbi të gjitha përkushtimi yt i dëshmuar më japin siguri të plotë se Korça do të lulëzojë nën udhëheqjen tënde,” tha Kryepeshkop Joani.

Ndërsa Mitropoliti i ri, Hirësi Anastasi, u shpreh se do të bëjë çmos që të jetë shërbëtor i së mirës, dëshmitar i së vërtetës dhe mbjellës i paqes.

“Në këtë ditë të shenjtë, zemra ime ngrihet në lutje dhe falënderim duke kujtuar fjalët e apostullit Pavli: të gjitha i kam të mundura me anë të Krishtit që më jep forcë. Me këtë besim ia dorëzoj jetën dhe shërbesën time Zotit dhe lë veten në duart e tij të shenjta. Ju lutemi, mbështeteni me lutjet tuaja këtë shërbim timin të ri, sepse pa lutjet e popullit të perëndisë çdo peshkop është i dobët.Ju ftoj të gjithëve si një trup i gjallë dhe bashkësi e dashurisë, që së bashku të ecim në këtë udhë të bekuar,” u shpreh Hirësi Anastasi.

Në këtë ceremoni morën pjesë anëtarët më të lartë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, personalitete vendore e qendrore, si dhe besimtarë e qytetarë të shumtë.

Gazetare: Kostanca Koçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme