Kurti: Pezullimi i dialogut me SHBA-në, për shkak të mbylljes së strukturave serbe në Veri

Kosovë | 1 vit më parë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara, ka sqaruar se vendimi i Uashingtonit për të pezulluar Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovën, i cili, sipas tij, “lidhet me veprimet e Qeverisë në mbylljen e strukturave ilegale serbe në veri të vendit”.

Në një bashkëbisedim, Kurti u shpreh prerë se nuk mund të bëjë kompromise me sundimin e ligjit në Veri, edhe pse kjo ka shkaktuar pengesa në diplomacinë me aleatin kryesor, SHBA-në.

“Arsyeja e pezullimit të Dialogut të planifikuar Strategjik është për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise. Nuk mund t’ia lë këtë problem brezit tuaj”, Albin Kurti.

Ai shpjegoi se marrëdhënia Kosovë-SHBA është tridimensionale (mbrojtje, zhvillim, diplomaci) dhe se problemet ekzistojnë vetëm në shtyllën e diplomacisë.

Sipas tij, pengesat vijnë nga interesi i Shteteve të Bashkuara për të shkëputur Serbinë nga ndikimi i Rusisë.

“SHBA-ja e konsideron shumë të rëndësishme që ta tërheqë Serbinë nga hemisfera lindore sepse Serbia është e lidhur ngushtë me Moskën. Dhe ne, duke qenë të palëkundur në sundimin e ligjit, demokracinë, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial, disa politikanë dhe diplomatë në SHBA vlerësojnë se ne nuk po e ndihmojmë SHBA-në që ta shkëpusë Serbinë nga Federata Ruse,” tha Kurti, duke shtuar: “Por, sinqerisht, ky nuk duhet të jetë problemi im.”

Kryeministri në detyrë theksoi se ai refuzon të jetë si paraardhësit e tij që toleronin institucionet paralele, duke vënë në theks vendosmërinë për të zbatuar ligjin në të gjithë territorin, pavarësisht kritikave ndërkombëtare.

“Unë nuk jam kryeministër që i thotë Policisë së Kosovës të mos e arrestojë një kriminel serb të kapur në flagrancë, sepse ky veprim mund të dënohet nga Brukseli dhe Uashingtoni,” u shpreh ai.

Kurti e përshkroi vetveten si një lider që duket ekstrem vetëm në krahasim me të tjerët: “Unë jam normal, por dukem ekstrem. Kjo është për shkak të paraardhësve të mi të cilët nuk kanë qenë normalë.”

Ndërkohë, Ambasada Amerikane në Kosovë e arsyetoi pezullimin e Dialogut Strategjik më 12 shtator me veprimet e Qeverisë Kurti që kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë”, duke kufizuar bashkëpunimin mbi prioritetet e përbashkëta.

Kurti insistoi se mes Kosovës dhe SHBA-së ka dallime vetëm në “taktika dhe veprime” dhe jo në vlera apo parime, duke përsëritur se “nuk jemi prishur me Amerikën.”

Veprimet e fundit në veri përfshijnë pezullimin e punës së Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe atij Invalidor e Pensional, të cilat punonin sipas sistemit të Serbisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme