Mjekë të rinj i bashkohen stafit në Lushnjë, mbështetje nga kolegët dhe investime për modernizimin e godinës spitalore
Kërkesat për punësim në spitalin e Lushnjës janë të plotësuara, duke e renditur këtë institucion ndër spitalet me numrin më të madh të mjekëve dhe infermierëve që i shërbejnë popullatës.
Prej një muaji e gjysmë, Arlind Kullolli ka nisur punën si kirurg ortoped pas aplikimit në portalin “Mjekë për Shqipërinë”. Ai tregon se, megjithëse udhëton çdo ditë nga Tirana, ka gjetur mbështetje nga kolegët.
“Tashmë jam në Lushnjë, si vend vakant që ishte, me përzgjedhjen time. Jam duke dhënë kontributin tim për pacientët,” shprehet mjeku i ri.
Aktualisht spitali ka 60 mjekë dhe 144 infermierë, duke mbuluar të gjitha specialitetet. Sipas drejtorit Roland Ziu, pritet të kryhen investime në ambientet e spitalit dhe me aparatura të reja.
“Ne kemi dy okulistë, dy mjekë ORL, tre kardiologë, tre neurologë, tre reumatologë, tre reanimatorë. Nuk ndiejmë as edhe një mungesë në specialitete. Kemi hyrë në fazë rikonstruksioni, ku një vlerë prej 40 milionë lekësh do t’i dedikohet vetëm pajisjes së spitalit me aparatura. Kështu që krahas këtyre që kemi do të marrim një investim të ri në aparatura,” thotë drejtori i spitalit.
Ai thekson se prej tre vitesh nuk është larguar asnjë punonjës nga ky institucion shtetëror, ndërsa statusi i “spitalit bashkiak” trajtohet në nivel rajonal, për shkak të densitetit të popullsisë dhe pozicionit gjeografik. Personeli mjekësor vjen kryesisht nga Tirana, Elbasani, Kavaja, Berati dhe Fieri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




