Trump pret Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë: Jam i bindur se paqja në Gaza do të arrihet shumë shpejt

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, priti sot në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
Kjo shënon vizitën e katërt të Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë që nga fillimi i mandatit të dytë të Trump.
Të dy udhëheqësit pritet të diskutojnë armëpushimin në Gaza dhe marrëveshjen për pengjet.
Në një pyetje drejtuar nga distanca presidentit amerikan, ai u kufizua në përgjigje duke u deklaruar se “Po, jam shumë optimist”, duke sugjeruar se ka zhvillime që mund të çojnë në një marrëveshje në të ardhmen e afërt.
Pak para takimit, Shtëpia e Bardhë njoftoi se të dyja palët ishin shumë afër një marrëveshjeje për Gazën.
“Shpresojmë që të dyja palët do të bien dakord, Presidenti Trump do të flasë me Katarin (një nga ndërmjetësit)”, u theksua.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë përmban një dilemë për kryeministrin izraelit: Të pranojë planin për t’i dhënë fund luftës në Gaza ose të rrezikojë një përçarje publike me SHBA-në dhe të përballet me një izolim edhe më të keq ndërkombëtar, thekson ndërkohë agjencia Axios.
Plani me 21 pika
Media ndërkombëtare shkruan se në qendër të bisedimeve është plani 21-pikësh i Donald Trump për paqen në Gaza, pas njohjeve masive të shtetit palestinez nga vende të tilla si Britania, Franca, Kanadaja dhe Australia.
Plani kërkon, ndër të tjera, lirimin e të gjithë pengjeve, të gjallë dhe të vdekur, fundin e sulmeve izraelite ndaj Katarit dhe një dialog të ri midis Izraelit dhe palestinezëve për “bashkëjetesë paqësore”.
Burimet i thanë ABC News se ka ende të paktën tre mosmarrëveshje midis SHBA-së dhe Izraelit mbi planin e paqes të propozuar nga Trump.
Netanyahu i kërkon ndjesë kryeministrit të Katarit për sulmin me raketë në Doha
Gjatë vizitës së sotme në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu bisedoi në telefon me kryeministrin e Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.
Sipas gazetarit të Axios, Barak Ravid, Netanyahu i kërkoi ndjesë për sulmin me raketë balistike të kryer më herët këtë muaj ndaj një takimi të udhëheqësve të Hamasit në Doha.
Ai shprehu gjithashtu keqardhje për vdekjen e një oficeri të Ministrisë së Brendshme të Katarit gjatë goditjes.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



