Këshilli i Ministrave i dërgon Presidentit vakancat për 6 bashkitë, përfshirë edhe Tiranën

Politikë | 1 vit më parë

Këshilli i Ministrave ka njoftuar Presidencën për vakancën në Bashkinë e Tiranës pas shkarkimit të Erion Veliajt, edhe pse ky i fundit e ka ankimuar vendimin në Gjykatën Kushtetuese.

Në shkresën që mban datën 30 shtator, Presidenti Bajram Begaj informohet gjithashtu për vakancat në pesë bashki të tjera të vendit: Vlorë, Berat, Mat, Cërrik dhe Tepelenë.

Nga momenti kur shkresa mbërrin në Presidencë, kreu i shtetit ka afat 48 orë për të nxjerrë dekretin për zgjedhjet. Vendimi dhe interpretimi i Presidentit të Republikës pritet me interes, për të parë nëse ai do të dekretojë zgjedhjet në të gjashta bashkitë apo vetëm në pesë bashki pa Tiranën, pasi Veliaj e ka ankimuar shkarkimin e tij si “të paligjshëm dhe antikushtetues”.

Ankimimi në gjykatën më të lartë të vendit, sipas nenit 115 të Kushtetutës, e pezullon firmën e Këshillit Ministror për shkarkimin e tij, si dhe bllokon mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme për Bashkinë e Tiranës deri sa gjykata të dalë me vendim.

Tri bashki të vendit – Mati, Tepelena dhe Berati – janë pa kryetar pasi ata janë zgjedhur deputetë nën siglën e Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Ndërkohë, Cërriku ka mbetur pa kryetar pas emërimit të Andis Sallës në Ministrinë e Bujqësisë, ndërsa Vlora mbeti pa drejtues pas dorëheqjes së Ermal Dredhës.

Gazetare: Jonida Omeri, j.sh.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme