Ekonomia shqiptare në 6 muaj, rriten investimet e huaja. Bujqësia dhe industria në rënie, indeksohen pensionet në 2,5%

Ekonomi | 1 vit më parë

Me publikimin e të dhënave të fundit nga INSTAT për Prodhimin e Brendshëm Bruto u bë e ditur se rritja ekonomike e Shqipërisë ka rezultuar mbi mesataren e BE-së, në nivelin e 3,51%.

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, paraqiti ecurinë ekonomike të vendit, duke u ndalur tek investimet e huaja, të cilat për 6-mujorin kanë prekur shifrën e 759 milionë euro.

“Si strukturë është rritur në pasuri të paluajtshme, në aktivitete financiare dhe të sigurimeve. Industria nxjerrëse vijon të jetë një sektor i cili tërheq investitorët e huaj. Industria përpunuese, gjithashtu, tregtia dhe energjia, uji dhe gazi… Është e rëndësishme të theksojmë që rreth 50 për qind e fitimeve të tyre riinvestohen në vend,” theksoi ministrja Ibrahimaj.

Megjithatë, sektori i bujqësisë dhe ai i industrisë kanë shfaqur një ecuri më të dobët.

“Kjo rënie është ndikuar kryesisht nga prodhimit blegtoral dhe peshkimi, ndërsa bujqësia në terma nominalë është rritur me 2,62 për qind në 3-mujorin e dytë të vitit. Industria në tërësi, në terma realë, është paraqitur në rënie,” deklaroi ministrja.

Ministrja u ndal edhe tek çështja e pensioneve.

“Dje miratuam normën e indeksimit të pensioneve, e cila ishte 2,5 për qind. Është një normë e cila pasqyron rritjen e çmimeve për shportën e pensionistëve. Reforma e pensioneve është një punë në proces,” tha ministrja e Ekonomisë.

Një tjetër aspekt i trajtuar nga Ibrahimaj lidhej me problematikat e evidentuara në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit. Ajo theksoi se qeveria shqiptare është në proces të hartimit të një plani trevjeçar për të adresuar fenomenin e përdorimit të lartë të parasë kesh në ekonomi.

Gazetar: Omer Saraçi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme