Ministrja Koçiu prezanton drejtorin e ri të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore: Hallkë kyçe në garantimin e integritetit të strukturave ligj-zbatuese

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, prezantoi të martën zyrtarisht Drejtorin e ri të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Eduart Merkaj.
Gjatë ceremonisë, ministrja Koçiu theksoi rolin jetik të agjencisë për integritetin e strukturave ligj-zbatuese.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet një hallkë kyçe në garantimin e integritetit, etikës dhe profesionalizmit të punonjësve të institucioneve që ajo mbikëqyr,” deklaroi ministrja.
Ajo kërkoi që çdo shqetësim apo ankesë e qytetarëve të trajtohet me prioritet dhe me përgjegjësi të plotë, duke siguruar se publiku do të ketë një njësi mbikëqyrëse të paanshme dhe profesionale.
“Ky është angazhimi ynë i pandryshueshëm,” nënvizoi Koçiu.
Eduart Merkaj vjen në drejtimin e AMP me një eksperiencë të gjerë në struktura të ndryshme ligj-zbatuese dhe të sigurisë kombëtare. Para këtij emërimi, ai ka shërbyer si drejtor i Departamentit të Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit.
Merkaj ka mbajtur poste të rëndësishme edhe në:
Policinë Kriminale
Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA)
Shërbimin Informativ Shtetëror (SHISH)
Struktura të specializuara të hetimit të korrupsionit.
Emërimi i Merkajt vjen në një kohë kur rritja e integritetit dhe lufta kundër korrupsionit brenda radhëve të Policisë mbeten prioritete kryesore për Ministrinë e Brendshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.







